Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar sot sërish për aferën e inceneratorëve, ndërsa deklaroi se pronari kryesor i djegësit të Tiranës, është kryebashkiaku Erion Veliaj.
Sipas Berishës, kryebashkiaku qëllimisht e kaloi me firmën e tij miratimin e kontratës për djegësin e Tiranës për shkak se nuk kishte ⅗ e votave të nevojshme në Këshillin Bashkiak.
Sipas tij, Veliaj ka kryer një krim të shëmtuar se ka marrë përsipër të gjitha detyrimet e kontratës që nuk e ka kaluar në Këshillin Bashkiak.
“Veliaj nuk është myshteri i djegësit të Tiranës, por është pronari dhe hajduti kryesor në këtë vjedhje. Veliaj tha që përgjegjësi të mbajë ai që ka bërë gabimet. Aktet dhe firmat, nuk janë gabime por krime të rënda penale dhe mbajnë firmën e Veliajt. Rezulton se kontrata e djegësit të Erion Veliajt, e cila në 30 vite u kushton taksapaguesve rreth 1 miliardë euro, nga të cilat 450 janë pagesat për mbetjet e djegshme dhe 450 të tjera janë për dherat dhe inertet, pjesa tjetër janë të gjitha fitime që nxirren nga shitja e hekurit, letrës, etj. Kjo ngarkesë 30 vjeçare, 1 miliardë euro mbi shpatullat e taksapaguesve kalon vetëm me firmën e Veliajt, në dhunim të kushtetutës, pa miratimin e këshillit bashkiak. Kjo për faktin se ai nuk kishte ⅗ dhe miratimi në këshill i kësaj barre të rëndë kërkonte ⅗ e votave”, tha Berisha.
Sipas Berishës, Bashkia e Tiranës ishte përgjegjëse kryesore për monitorimin e çdo muaji, të punimeve, të depozitimeve dhe të gjithë zhvillimeve në fushën e Sharrës për djegësin e Tiranës.
“Kanë kaluar 6 vjet dhe nuk ka asnjë objekt të ndërtuar, në një kohë kur taksapaguesit dhe biznesmenët e detyruar kanë paguar mbi 120 milionë euro.
Ky është një akt i pashembullt në histori. Ky koncesion është quajtur koncesion privat, por çfarë koncesioni privat është ky, kur ka marrë nga qeveria dhe bashkia, 120 milionë euro dhe duhej ta kishte në përfundim djegësin.
Ato i ka marrë Erion Veliaj me shokë dhe djegësi nuk ekziston në asnjë gjurmë.
Së pari, t’i japësh privatit për të ndërtuar për veten e tij, dhe jo me paratë e tij, është një krim i shëmtuar.
Së dyti, zhdukja e 120 milionë eurove përbën gropën e zezë të djegësit të Tiranës.
Së treti, sekuestrimi gjysmak, për të mos thënë edhe klientelist i SPAK, që u duartrokit aq shumë, lejon në mënyrë të paimagjinueshme pagesat kriminale, të hedhura poshtë nga KLSH, në kundërshtim me kontratën për 29 euro për ton, në një kohë kur nuk digjet asnjë kilogramë.
Sepse SPAK nuk ka guxuar të urdhërojë anulimin e faturës prej 29 euro për ton. Të urdhërojë detyrimin e antiligjor kriminal të ndërtuesve dhe bizneseve, për të depozituar kundrejt tarifës, inerte dhe dhera, prej 6 vitesh në fushën e Sharrës. Për këtë, SKAP-i nuk ka një fjalë”, deklaroi Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje