Politike

Shtatori i zjarrtë i politikës shqiptare, tronditjet në qeveri dhe në PD

Nga Gazeta ‘Si’-Fillim shtatori pritet të nisë i zjarrtë dhe i rrufeshëm për politikën shqiptare. Kjo në të dyja kampet e politikës, por mbi të gjitha flakët e këtij zjarri do të “përvëlojnë” ministrat socialistë.

Në prag të 10 viteve si kryeministër, fiks më 10 shtator ku Rama mbush “mbretërimin” e tij në krye të vendit, lideri i socialistëve do të ndërmarrë sërish ndryshime në qeverinë e tij, pas fitimit të tre palë zgjedhjeve parlamentare radhazi.

Më katër shtator Rama do të mbledhë Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. Vetë lideri i mazhorancës ka paralajmëruar ndryshime në qeverinë e tij, e cila ka pësuar jo pak goditje, nga hetimet e fundit e SPAK, e ku “koka e prerë” është ajo ish-numrit dy të qeverisë, Arben Ahmetaj.

Shumë zëra qarkullojnë për largime masive ministrash të qeverisë. Madje nuk mungojnë dhe zërat për riformatimin e kabinetit qeveritar, për ndarje të superministrive, duke rikthyer në ato që ishin para 10 viteve.

Veç Taulant Ballës, i rizgjedhur së fundmi si ministër i Brendshëm, asnjë prej anëtarëve të kabinetit duket se nuk e ka vendin e sigurt. Zëra ka për largime të sigurta të Delina Ibrahimajt, Olta Xhaçkës, Ogerta Manastirliu, Edona Bilali, Ulsi Manjës apo dhe ministrave të tjerë që janë prej vitesh në atë detyrë.  Gjithsesi kjo mbetet për t’u mësuar në Asamblenë e PS-së nga vetë goja e Ramës, i cili i shpall këto lëvizje në minutat e fundit, si nonimimet e “Big Brother”.

Vetë Partia Socialiste pritet t’i nënshtrohet njëherësh reformimit të saj. Rama edhe pse i fitoi bindshëm zgjedhjet lokale të 14 majit ka shkrirë sekretariatin, duke lënë vetëm Blendi Klosin si sekretar të Përgjithshëm.  Precedentët kanë treguar që Rama të larguarve nga qeveri i ka dhënë poste në parti, kjo për të realizuar ndërrim të lojtarëve të ekipit qeverisës dhe në parti.

Kriza në të djathtën

Kampi i djathtë prej më se dy vitesh po përjeton në një kaos të vërtetë. Përçarja e PD-së në dy apo në tre pjesë favorizoi të majtën që i fitoi bindshëm zgjedhjet e 14 majit.

Rikthimi i Bashës pritet të shoqërohet me “prerje” kokash të reja në PD që tashmë po tenton ta zotërojë. Grupimi i deputetëve demokratë do të jetë më i rrezikuar.

Ato përfaqësohen nga Gazment Bardhi, e ku të paktën 16 deputetë refuzuan që të marrin pjesë në zgjedhjet për kreun e PD-së në korrik, ku Basha u rizgjodh për herë të katërt. 

Vendimet e Bashës në Këshillin Kombëtar të 3 shtatorit do të përcaktojnë dhe “fatin” e grupimit tjetër në PD që përfaqësohet nga Berisha. Kjo nëse të ndëshkuarit nga Basha do ti bashkohen Berishës apo do të tentojnë të krijojnë një lëvizje brenda PD-së së Bashës.

Gjithsesi lëvizjet brenda së djathtës parashikojnë një zvogëlim të numrave të opozitës në Parlament dhe qeverisje më të qetë për Ramën dhe pa dhimbje koke.

Ndërkohë që vetë Berisha duhet të bëjë llogaritë politike, pasi ka humbur betejën me vulën e PD-së, pasi tashmë zotërohet nga Basha. Pas zgjedhjeve të 24 shtatorit të Kukësit, Berisha duhet të vendosë se çfarë do të bëjë me grupin e tij të mbështetësve, do të vijojë të jetë nën sqetullën e Ilir Metës, i cili po përfiton vota falë  Berishës, apo do të krijojë një parti tjetër politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë