Politike

KQZ regjistron PD-në e Bashës në zgjedhjet e 24 shtatorit në Kukës. Berishës i mbetet pjesëmarrja me koalicion

Nga Gazeta Si – KQZ ka vendosur regjistrimin e PD të drejtuar nga Lulzim Basha në zgjedhjet e 24 shtatorit në Kukës, proces që do të përsëritet pas videoskandalit me ish-kryetarin Safet Gjici.

Seanca u zhvillua me debate mes përfaqësuesit ligjor të PD-së, Indrit Sefës dhe atij të Rithemelimit. Ishte kryekomisioneri Ilirjan Celibashi i cili i dha fund diskutimeve, duke vendosur regjistrimin e PD. Celibashi tha se Lulzim Basha është ai që ka legjitimitetin që ta paraqesë kërkesën për regjistrim, duke qenë se në regjistrin e partive partive politike rezulton kryetar i PD.

“Basha ka legjitimitetin të paraqesë kërkesën për regjistrim në zgjedhje si subjekt zgjedhor. Tej çdo diskutimi, KQZ si organ administrativ e ka të pamundur nga pikëpamja ligjore që të bëjë një shqyrtim të të gjithë procesit vendimmarrës në një parti politike. Për shkak të ligjit KQZ është e detyruar ta shqyrtojë kërkesën për regjistrim thjesht dhe vetëm në aspektin formal, duke vlerësuar të gjithë dokumentacionin. E rëndësishme është dokumenti që vjen nga Gjykata e Tiranës. Është fakt i pasqyruar në një dokument zyrtar që kryetari i PD është z. Lulzim Basha dhe ky person ka të drejtën për të paraqitur kërkesën për të regjistruar PD-në si subjekt zgjedhor”, tha Celibashi.

Partitë politike kanë afat deri më datë 8 shtator për të regjistruar kandidatët e tyre, e këtë gjë PD-ja e Bashës nuk e ka bërë ende, pasi nuk e ka një të tillë.

Basha është shprehur se do ta lërë në dorë të Degës së Partisë Demokratike në Kukës.

Edhe kësaj radhe duket se Berisha sërish do të futet në zgjedhje përmes një koalicioni me aleate te tjere, ndonëse ka të drejtë që vendimin ta ankimojë në KAS. Pavarësisht kësaj, nuk priten shumë surpriza, pasi edhe shkallët e tjera e rrëzuan Berishën më 14 maj.

Emri Vata do të jetë kandidati i PD-së së Rithemelimit, kurse për PD-në e Bashës përflitet se do të jetë Arif Rexhmati. I përzgjedhuri i Partisë Socialiste si kandidat zyrtar për kryebashkiak të Kukësit, do të jetë prefekti i qarkut të Kukësit, Albert Halilaj. Zgjedhjet e pjesshme do të mbahen pasi Safet Gjici dha dorëheqjen për shkak të video-skandalit seksual, të filmuar në zyrën e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë