Nga Gazeta ‘Si’ – Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama pati një koment edhe për çështjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, për të cilin tha se ajo tashmë i takon drejtësisë dhe jo palës greke.
Ai shtoi se qasja e qeverisë që ai drejton ndaj drejtësisë tani është krejtësisht e re.
“Nuk do resht së përsërituri disa gjëra deri në bezdi, sa herë do të bëhet fjalë për aktivitetin e organeve dhe sidomos të SPAK. Kështu që, ndjesë për bezdinë që vijon.
Shikoni me kujdes se çfarë po diskutohet aktualisht mes nesh dhe Greqisë, më saktë, se çfarë pala greke po kërkon prej qeverisë, prej meje personalisht. Pse ndodh kjo, dhe si ka mundësi që pala greke nuk dëgjon asnjë argument, por vetëm këmbëngul, që siç shprehen ata, vullneti yunë politik duhet ta zgjidhë siç e mendojnë ata, një çështje për të cilën, këto organe të reja të drejtësisë, i kanë ndërmarrë veprimet e tyre dhe kanë dhënë vendimet e tyre, pavarësisht nga ne ose ata. Për çështjen nuk kam asgjë të re për të thënë dhe nuk kemi asnjë debat real për të zhvilluar me palën greke për thelbin e çështjes.
E nisa këtu, sepse kjo qasje e palës greke, tregon në fakt se raporti i ri i përmbysur kokë e këmbë i pushtetit tonë politik me sistemin e drejtësisë po kalon përmes një sporove shumë të fortë.
Qasja jonë është radikalisht e re. Për të mos u përzier as me gojë dhe as me dorë në punën e organeve të drejtësisë, por për t.i inkurajuar ato pa kushte, pa pse, si dhe pa gëk e mëk”, tha Rama ndërsa shtoi se kjo është një qasje që bie ndesh shumë brutalisht, me një inerci të tmerrshme të një historie 111-vjeçare, që sipas tij i ka mësuar njerëzit brez pas brezi, të mendojnë se pushteti i vërtetë politik, është ai që e tërheq për hunde pushtetin gjyqësor, pavarësisht se çfarë thotë Kushtetuta apo ligji.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje