Sekretari i Çështjeve Ligjore në PD-në e Rithemelimit, Ivi Kaso ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor sistemin e drejtësisë për të mbajtur peng kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Kaso u bëri thirrje organeve ligjzbatuese që të shoqërojnë kryetarin e zgjedhur në mbledhjen e këshillit bashkiak për të bërë betimin.
“32 vite në pluralizëm na kanë mësuar tashmë se e drejta e zgjedhjes është e drejtë kushtetuese për çdo shtetas shqiptar, pa asnjë dallim.
E drejta e zgjedhjes ka dy pjesë me të njëjtën vlerë: E drejta për të zgjedhur me votë të lirë, të barabartë e të fshehtë dhe e drejta për t’u zgjedhur me votë të lirë, të barabartë e të fshehtë.
Këto janë dy pjesë që nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën. Nuk ka zgjedhje të lira nëse qeveria vendos kush do të votojë apo kush do të votohet”, argumentoi Kaso.
Spas tij, Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor ia garantojnë të drejtën e votës çdo te paraburgosuri dhe çdo të burgosuri, me përjashtim të atyre që janë dënuar për krime të rënda.
“Një i paraburgosur ka të drejtë jo vetëm të votojë, por edhe të kandidojë nga qelia e paraburgimit dhe të zgjidhet. Në vitin 2001, Azgan Haklaj kandidoi për deputet, ndërkohë që ishte i paraburgosur, qartazi me motive politike, u zgjodh, fitoi, u lirua, bëri betimin dhe ushtroi mandatin, ndërkohë që ndiqej penalisht.
Kodi Zgjedhor siguron ushtrimin e votës nga të paraburgosurit. Nëse nuk ngrihet qendër e posaçme votimi në ambientet e burgut, të burgosurit votojnë në një qendër votimi jashtë, sa më pranë burgut, të shoqëruar sipas ligjit.
Kjo praktikë u përsërit në zgjedhjet e 14 majit 2023 në bashkinë e Kukësit. Gjykata e Shkallës së Parë Kukës, me vendimin nr. (332) 91 të datës 13 maj 2023, ka urdhëruar lejimin e votimit të 26 shtetasve të paraburgosur dhe burgosur, në qendrën e votimit n0647/01 të ngritur në Poliklinikën e Kukësit.
Këta zgjedhës, më 14 maj 2023 janë shoqëruar nga organet ligjzbatuese pranë qendrës së votimit dhe kanë votuar rregullisht duke garantuar të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur”, sqaroi Kaso.
Sipas tij, Fredi Beleri, kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” u zgjodh me votë të lirë, të barabartë e të fshehtë, pavarësisht presioneve të Edi Ramës.
“KQZ i dha mandatin më përputhje me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor. Gjykata e Vlorës certifikoi sipas ligjit mandatin e Fredi Belerit. Hapi i fundit për fillimin e ushtrimit të detyrës është betimi solemn para këshillit bashkiak.
Edhe pse ushtrimi, menjëherë e pa pengesë, i detyrës për të cilën është zgjedhur është detyrim në kuadër të OSBE, Këshillit te Europës dhe Kushtetutës, Edi Rama po përdor sistemin e drejtësisë për ta mbajtur peng bërjen e betimit. Justifikimi i Ramës është se Fredi Beleri është i paraburgosur.
Qëllimi është mbajtja e kryetarit të zgjedhur të bashkisë Himarë deri sa të kalojë afati 90 ditor për bërjen e betimit. Kjo është pengmarrje e një të drejte kushtetuese.
Fredi Beleri prezumohet i pafajshëm deri në ditën që dënohet me vendim përfundimtar të formës së prerë dhe ruan të drejtën për të zgjedhur e për t’u zgjedhur. Prokuroria nuk ia ka provuar ende fajësinë para gjykatës.
Partia Demokratike u bën thirrje organeve ligjzbatuese që të garantojnë shoqërimin e kryetarit të zgjedhur në mbledhjen e këshillit bashkiak për të bërë betimin. Për ushtrimin e të drejtave civile e zgjedhore nuk nevojitet vendim i gjykatës penale.
Bërja e betimit nuk pengon ndjekjen penale. As ndjekja penale nuk është dënim dhe nuk mund të pengojë ushtrimin e një të drejte dhe detyre kushtetuese”, tha Ivi Kaso.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje