Kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar se partia që ai drejton humbi shumë kohë me problemet personale brenda saj.
Para se të votohej pa garë për emrat e rinj të kupolës drejtuese, Basha tha se partia që ai drejton do të jetë e hapur për prurje të reja nga cdo fushë dhe se qëllimi i tij do të jetë jo karriga (duke shpotitur Berishën) por qytetarët.
Basha tha gjithashtu se kjo do të jetë hera e fundit që PD nuk do të dalë me kandidat si në zgjedhjet e afërme të Kukësit.
“Pas Kuvendit Kombëtar të javës së shkuar, hedhim sot një tjetër hap të rëndësishëm për Partinë Demokratike, formatimi i forumeve statutore të partisë. Ky hap i jep hov të ri aksionit tonë politik, që për shumë gjatë u largua nga detyra jonë parësore, ajo e të qenurit në shërbim të demokratëve, të qytetarëve, të Shqipërisë.

“Ne e dimë që në asnjë moment nuk kemi hequr dorë nga përgjegjësia që na mban në politikë, madje kemi sakrifikuar shumë të gjithë bashkë për të mbrojtur vlerat që na bashkojnë në këtë familje të madhe.
Por kur zhurma e përplasjes bëhet më e fortë se zëri i arsyes, të gjithë humbasim.
Ne humbëm kohë të çmuar duke u marrë me probleme që nuk kanë lidhje me shqetësimet e njerëzve por me shqetësimet dhe problemet personale të pak politikanëve, që për të mbuluar të keqen e tyre, janë gati të shkatërrojnë të mirën e përbashkët”, tha Basha.
Për të ndërtuar të ardhmen, sipas tij, duhet rindërtuar pikësëpari partia.
“Që kjo të ndodhë, unë dhe forumet drejtuese duhet të bëjmë gjithçka që të tejkalohet kriza, përçarja dhe konfuzioni që ka përfshirë anëtarësinë, si dhe një pjesë të konsiderueshme të elitës politike opozitare.
Kjo ka bërë që shumë individualitete dhe kapacitete politike, që janë pasuri e PD, që janë pasuri e shoqërisë, të mos jenë sot aktivë.
Por ne do të jemi të hapur, do të jemi ftues, do të jemi përfshirës për ata që i bashkohen betejës tonë politike, për ata që mbartin ide, për ata që e pasurojnë aksionin politik opozitar, dhe për ata që e zgjerojnë përfaqësimin tonë politik.
Forumet mbeten funksione të ngurta po nuk përthithën ide, vlera, aksion dhe përfaqësim.
Ndaj dhe ndërtimi i ekipeve drejtuese është një proces i hapur dhe i vazhdueshëm, që nuk ngjizet vetëm përmes zbatimit të funksioneve që secili prej nesh kryen, por përmes frymës së skuadrës që mbizotëron mes nesh, ku harmonizohen ambiciet legjitime të gjithsecilit, por me vetëdijen se asgjë e përveçme nuk arrihet, pa çuar përpara vizionin e përbashkët dhe misionin e madh me të cilën na kanë ngarkuar demokratët.
Ne do t’u shtrijmë dorën profesionistëve, intelektualëve, sipërmarrësve, pedagogëve, të rinjve e të rejave, nga të gjitha shtresat shoqërore dhe nga diaspora, për të dhënë bashkë me ne kontributin e tyre për të normalizuar politikën, për ta bërë atë sa më përfshirëse dhe njerëzore, duke ndërtuar një urë shprese dhe besimi nga e sotmja drejt të nesërmes”, tha ai.
Më tej ai nënvizoi: “Na takon ne të japim prova se ua kemi lënë të tjerëve obsesionin për karrige. Sepse kemi një tjetër prioritet, atë për të qenë sa më pranë njerëzve, për të qenë zëri i tyre, dera ku të trokasin për të gjetur zgjidh…
Dëshmi e kostove që ngjarjet brenda nesh kanë prodhuar, janë edhe zgjedhjet e Kukësit. Ne respektuam vullnetin e Degës së Kukësit për të mos nxjerrë kandidat, sepse është dhe përgjegjësia jonë, e të gjithëve bashkë, që për një kohë të gjatë u morëm me luftën me njëri-tjetrin dhe jo me ringritjen dhe riorganizimin e partisë.
Sot përfundojmë plotësimin e strukturës dhe të gjithë, pa përjashtim, me mua të parin, duhet të jemi në terren për të ringritur partinë dhe për të qenë gati, kudo dhe kurdo për përballje elektorale”
Basha përsëriti se PD do të kërkojë ngritjen e komisionit hetimor për fondet e IPARD-it dhe investitorët strategjikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje