Politike

Basha: Lista të hapura, një zonë zgjedhore për Shqipërinë e president nga populli

Nga Gazeta Si- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka prezantuar platformën më të re për reformën zgjedhore, ku sipas tij, Shqipëria duhet të ketë vetëm një zonë zgjedhore, si Kosova.

“Shqipëria një zonë elektorale si Kosova, në daçi si vendet e BE. Të hapur edhe për ndarje me 3 ose 4 zona elektorale. Rëndësi të ketë barazi të votes. Numri i votuesve për mandat deputeti të jetë i njëjtë në të gjithë vendin”, deklaroi Basha.

Gjithashtu ndër propozimet e tij ishte edhe deputetët të zgjidhen nga listat e hapura dhe jo të mbyllura.

“Duke nisur me listat e hapura. Lidhjen e drejtpërdrejt të votuesit me të zgjedhurin, pa sekser në mes. Lista të hapura për ne do të thotë largimi i konceptit të herësit nga kodi zgjedhor. Qytetarët vendosin vetë se cilin nga kandidatët dëshirojnë të dërgojnë në Parlament. Listat e hapura do të garantojnë kështu që shqiptarët të kenë një parlament të përbërë nga njerëz që janë produkt i drejtpërdrejt i votës së tyre, jo i renditjeve partiake, jo i renditjes personale, qofshin të kryetarit të partisë, apo faktorëve të tjerë”, theksoi Basha.

Ndërsa sipas tij, listat e hapura duhet të shoqërohet edhe me veting të politikës.

“Këtu vijmë te pika e dytë, vettingu i politikanëve. Faktorët kryesorë malinj nuk janë Rusia e Putinit apo Irani, faktori kryesor malinj që rrezikon Shqipërinë është korrupsioni dhe krimi i organizuar, influenca e tyre shtrihet dukshëm në parlament, në këshillat bashkiakë, në institucionet e rëndësishme të vendit ka pasur dhe ka individë të cilët nuk justifikojnë pasuritë e tyre marramendëse.Ka individë që janë për turpin e Shqipërisë, personazhe të transkripteve të INTERPOL-it dhe EUROPOL-it. Pastrimi i politikës mund të kryhet nga vettingu i politikanëve. Listat e hapura marrin kuptim nëse i japim fund pabarazisë së votës”, deklaroi Basha.

Ndërsa u shpreh pro votës së emigrantëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Kanë mbaruar alibitë për të mos iu njohur të drejtën e votës shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Votimi elektronik ua mundëson këtë. Shmanget abuzimi që shkakton votimi në ambasadë apo me postë. Shpikja me regjistrin e emigrantëve, rezultoi një tjetër grykë shishje për të bllokuar votimin e tyre. Nuk ka nevojë për regjistër,  ata janë në gjendjen civile Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, të kenë mundësi të votojnë në zgjedhje nga aty ku jetojnë”, tha në fjalën e tij, Basha.

Për realizimin e kësaj reforme zgjedhore, të platformës së PD-së, Basha theksoi se është i gatshëm ti shtrijë dorën e bashkëpunimit çdokujt. “Në emër të këtij vullneti të përbashkët politik ne shtrijmë sot dorën ndaj çdo faktori politik dhe shoqëror që të lënë mënjanë axhendat e ngushta, interesat personale dhe të bashkohen në një reformë zgjedhore që iu jep qytetarëve shqiptarë një demokraci të standardit europian”, tha kryedemokrati. Ndërsa hodhi si propozim që presidenti të zgjidhet nga populli, duke shmangur kështu krizat që ka prodhuar kushtetuta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë