Politike

Fondet IPA debat në komisionin e Ligjeve/ PD: Ilir Beqaj është nën hetim, nuk mund të prezantojë projektligj

Nga Gazeta ‘SI’ – Miratimi i programit IPA ka krijuar debat në komisionin ndërparlamentar të Ligjeve, prezantuar nga koordinatori Ilir Beqaj.

Beqaj u kritikua nga deputetët e opozitës në komision, për shkak se ai është nën hetim dhe nuk mund të ‘shfaqet duke mbrojtur sërish miliona euro.’

Deputetja Dhurata Çupi tha se aty po vendosej një tjetër vjedhje, ku kabineti i qeverisë do të merrte pjesë.

 “SPAK është plot me ministra, zëvendësministra, me deputetë, me Sekretarë të Përgjithshëm. Sërish ju bëni karshillëk, sillni këtu vjedhjen e radhës.  Fondet e BE-së për bujqësinë sot po hetohen në SPAK. Të gjithë deputetët e mazhorancës kanë përfituar nga ato fonde. Turp”, u shpreh Çupi.

Për deputetin Asllan Dogjani, prezenca e Beqajt në komisionin  e ligjeve ishte ‘presion’ për drejtësinë.

“Është sfidë morale dhe presion që i bëhet SPAK-ut, fakti që Ilir Beqja vjen dhe mbron këtu një nisëm të Bashkimit Europain. Ilir Beqja është në SPAK për korrupsion”, u shpreh Dogjani.

IPA është programi i financimit të BE-së për vendet që janë në proces të anëtarësimit. IPARD është programi nën organizimin e IPA dedikuar vetëm fondeve për zhvillimin rural. Dy muaj më parë, zyrtarët e Komisionit Europian njoftuan se ky program, IPARD, është pezulluar për Shqipërinë për shkak të keqpërdorimit të parave.

Ish-ministri Ilir Beqaj tha se nuk është pezulluar i gjithë fondi, vetëm një pjesë e tij.

Lidhur me IPA, koordinatori Ilir Beqja tregoi se BE-së i është kërkuar ndryshimi i paketës.

 “Marrëveshja bazë e miratuar në vitin 2020 përfshinte disa dokumente veprimi, një prej të cilave ishte edhe mbështetja buxhetore për përballimin e situatës së krijuar nga pasojat e Covid-19. Mbështetjet buxhetore nuk lidhen me një veprim konkret, por janë para që i shkojnë drejtpërdrejt buxhetit të shtetit. Kërkohet ndryshimi i kësaj marrëveshje për dy arsye, e para sepse disa tregues të zhvillimit ekonomik e social të vendit u ndikuan nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës. Me Komisionin Europian negociuam për ndryshimin e disa indikatorëve, të cilët kemi rënë dakord dhe na bëjnë të mundur që të përthithim të plotë shumën”.

Në përfundim, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë