Nga Gazeta ‘Si’-Ngjarjet tronditëse në Kosovë më 24 shtator dhe qëndrimet e Tiranës zyrtare, konkretisht të kryeministrit Edi Rama janë kthyer në një armë e re opozitës në betejën me qeverisjen socialiste 10-vjeçare.
Veç faktit se socialistët e demokratët do të paraqesin dy rezoluta të ndryshme mbi ngjarjet e Banjskës ku nga sulmi terrorist i dhjetëra serbëve mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, opozita, ajo e Partisë Demokratike që drejtohet nga Lulzim Basha ka ndërmarrë edhe një hap tjetër. Ka depozituar një interpelancë me kryeministrin Edi Rama për qëndrimin që ka mbajtur për ngjarjen tragjike të së dielës së 24 shtatorit.
Kërkesa për interpelancë është paraqitur nga deputeti Kreshnik Çollaku. Në të kontestohet qëndrimi i Tiranës zyrtare, i shprehur nga kryeministri Edi Rama që KFOR të marrë nën kontroll veriun e Kosovës, duke e cilësuar si de fakto e protektoriatit ndërkombëtar mbi një pjesë e sovranitetit të shtetit sovran të Kosovës.
DY REZOLUTAT E NDRYSHME PS DHE “BARDHI”
Dy grupimet e deputetëve demokratë që janë mbështetës të Sali Berishës dhe Gazment Bardhit kanë paraqitur kërkesën për mocion me debat dhe shqyrtimin e rezolutës “Për dënimin me termat më të ashpër të sulmit terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës me datën 24 shtatorit”.
Ajo është paraqitur me 29 shtator, por PS-ja nga ana e saj u vu në lëvizje dhe me 2 tetor paraqiti në emër të grupit parlamentar kërkesën për mocion dhe miratimin e një rezolute. Që në titull draft-rezoluta ka një ndryshim me atë opozitës.
Ajo titullohet “Për dënimin e sulmit të armatosur terrorist në veri të Republikës së Kosovës dhe mbështetjen e përpjekjeve për garantimin e sigurisë dhe paqes në vend e në rajon”.
E përbashkëta e dy teksteve është vetëm dënimi i ngjarjes pasi kërkesat janë të ndryshme. Nëse PS kërkon shtim të forcave të KFOR si një garanci për paprekshmërinë e kufijve të Kosovës dhe paqen në tërë rajonin, deputetët e opozitës kritikojnë rolin e kryeministrit Edi Rama mbi sjelljen neutrale mbi situatën në veri, duke i kërkuar zbatimin e detyrimit kushtetues që sipas nenit 8 duhet të mbrojë drejtat kombëtare të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të saj.
Rezoluta e opozitës kërkon një hetim ndërkombëtare për ngjarjen e 24 shtatorit, ndërsa socialistët i bëjnë atyre që ushtrojnë ndikimin e tyre te Serbia për ta ballafaquar me rolin e saj në raport me organizimin e mbështetjen politike, logjistike e morale të akteve të grupit terrorist në veri të Kosovës.
Rezoluta e PS-së mbyllet me mbështetjen e idesë së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që kërkon një draft të ri për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe të përpiluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili “duhet të jetë brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe në përputhje me kërkesat legjitime të saj.
Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se mazhoranca e ka rrëzuar kërkesën për mocion me debat, duke nënkuptuar se përparësi do të ketë ajo e mazhorancës.
Ndërsa vetë kryekomisionerja socaliste Mimi Kodheli në seancën e fundit parlamentare u shpreh se shpresonte që pas mocionit me debat të dilet me një rezolutë unanime, të votuar nga të dyja kampet e opozitës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje