Një ditë pasi deputetët e opozitës (pa grupin Basha) bllokuan votimin për reformën zgjedhore me argumentin se bashkëkryetari i komisionit të reformën duhet të jetë Oerd Byklykbashi dhe jo Enekelejd Alibeaj siç është aktualisht, Sali Berisha ka dalë me ekspertët e tij zgjedhor përfshi edhe Bylykbashin për të thënë sërish se Rama i ka kthyer zgjedhjet 20 vite pas.
“Raporti përfundimtar i ODIHR për zgjedhjet e 14 majit të vitit 2023, ka një krahasim vetëm me zgjedhjet e vitit 2001.
Me një fjali të thjeshtë, Edi Rama, qeveria që ka për detyrë të garantojë një ambient të përshtatshëm për zgjedhjet demokratike, në këtë dekadë ka bërë të mundur që zgjedhjet në Shqipëri, standardi i tyre të kthehet mbrapsht më shumë se 20 vite.
Zgjedhjet demokratike janë porta dhe çelësi për të hyrë në Europë.
Ama, ajo që konstaton raporti i OSBE/ODIHR dhe mjafton të lexojmë rekomandimet prioritare, ne kemi cenimin e parimeve themelore të OSBE dhe Këshillit të Europës për zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike.
Është e paprecedent në një raport të ODIHR në 20 vitet e fundit, ku herët e tjera ishte bërja e reformës zgjedhore konsensuale, për herë të parë kemi një rekomandim që nënvizon zbatimin e ligjit duket hetuar dhe ndëshkuar krimet zgjedhore.
Në mënyrë specifike, raporti thotë se organet ligjzbatuese duhet të identifikojnë dhe të hetojnë në mënyrë të pavarur akuzat për shkeljet zgjedhore, përfshirë blerjen e votës, presionin mbi zgjedhësit, abuzimin me burimet shtetërore dhe kjo të bëhet në kohë dhe mënyrë të detajuar.
Rekomandimi i dytë prioritar e vë theksin te shitblerja e votës në mënyrë të posaçme, që cenon integritetin e zgjedhjeve.
Këtu dua të theksoj se për herë të parë, një rekomandim i ODIHR për shitblerjen e votave ka dalë në vitin 2015, në zgjedhjet e para të bëra nga Edi Rama.
Rekomandimi prioritar numër tre flet fare qartë se është cenuar sekreti i votës. Raporti jep dimensione dhe mekanizma të ndryshme të përdorur për cenimin e sekretit. Cenimi i sekretit është i lidhur drejtpërdrejt me lirinë e votës”, renditi Bylykbashi. Më pas Sali Berisha tha se të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR janë përfshire në librin e denoncimeve te zgjedhjeve nga ana e PD-së.
Berisha lëshoi një mesazh të drejtpërdrejtë për Ramën
“Ky raport ka një mesazh për shqiptarët: me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, por ka farsë.
Akti i djeshëm në parlament përbënte atentatin më të shëmtuar të narkoshtetit ndaj pluralizmit parlamentar në 32 vite.
Edi Rama tregoi se nuk pranon pluralitetin e vërtetë në parlament dhe në një akt të pashembullt, në mënyrë absolute në asnjë vend tjetër pluralist, merr përsipër t’i caktojë opozitës, përfaqësuesin që do ai.
Siç bëri në zgjedhjet e 14 majit me kryetarin e koalicionit.
Të gjitha këto janë çështje thelbësore të cilave opozita duhet t’u përgjigjet dhe do u përgjigjet.
Thelbi është me protesta të fuqishme dhe përpjekje të tjera komplekse.
Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, nuk ka pluralizëm parlamentar. Ne do i mbrojmë ato”, tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje