Pas një periudhe jo fort të vogël qysh prej zgjedhjeve të 14 majit, Belind Këlliçi ka dalë zyrtarisht nga selia e PD-së për të folur mbi atë që ai e cilëson si shkelje flagrante e shtetit lidhur me inceneratorin e Tiranës
“Po bëjmë publike ditën e sotme një e-mail autentik të shkëmbyer mes punonjësve të kompanisë në pronësi të Klodian Zotos, Zoto Consulting.
Më 3 mars 2022, tre muaj pasi Farudin Arapi ishte caktuar Adminstrator Shtetëror, i Integrated Technology Services, kompanisë tashmë famëkeqe të inceneratorëve, mes punonjësve të kompanisë tjetër të Klodian Zotos, Zoto Consulting, shkëmbehen e-maile që dëshmojnë hapur se, ashtu si inceneratorët ishin një skemë e pastër e qeverisë, edhe përcaktimi i Administratorit Shtetëror ishte pjesë e kësaj skeme.

Nga ky komunikim faktohet se Farudin Arapi ka vizituar zyrat e Zoto Consulting për të arritur një akord të përbashkët për strategjinë që do të ndiqej në përballjen me Komisionin Hetimor Parlamentar për Inceneratorët, të kërkuar dhe të ngritur nga opozita.
Gjëja e parë që bie në sy në këtë e-mail është se, nuk janë punonjësit e firmës së sekuestruar që shkojnë tek Administratori Shtetëror, por është ky që shkon te vartësit e Klodian Zotos. Është e qartë pra se, loja luhet në fushën e të dyshuarve, e jo të kontrollorëve”, tha Këlliçi duke bërë publike edhe përmbajtjen e emailit.
Ajo që sipas tij përbën dhunim flagrant të rregullave është “se janë punonjësit e kompanisë së sekuestruar që ‘i sugjerojnë’ Administratorit Shtetëror se çfarë dokumentesh duhet të dorëzojë para Komisionit Hetimor Parlamentar”.

“Për dokumentet që kërkohen nga Komisioni Hetimor Parlamentar, punonjësi i Klodian Zotos, Laert Zifla, i sugjeron Administratorit Shtetëror, që të japë një përgjigje evazive, pasi prevalon hetimi penal. Më pas Zifla i raporton Denisa Tollkuçit (Administratores së Zoto Consulting dhe ITS), se “i sugjeroi” Farudin Arapit që ai duhej të komunikonte me këtë të fundit dhe të vijonte me përgjigjen e pjesshme drejtuar Komisionit Hetimor të ngritur nga Kuvendi. Farudin Arapi sipas këtij dokumenti, e pranon skemën, duke u vetë ofruar dhe duke thënë se do të flasë me një person të quajtur Juli, e më pas mbase do t’i japë një përgjigje të pjesshme Komisionit Hetimor.
Për hatër dhe në favor të Klodian Zotos, tashmë i dënuar nga drejtësia për aferën e Inceneratorëve, Administratori i Shtetit, Farudin Arapi, pranon kështu se do të mashtrojë ose keqdrejtojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të zgjedhur me votën e qytetarëve”, tha ai.
Sipas tij, Farudin Arapi nuk e shkel etikën dhe ligjin për hatër të Klodian Zotos dhe as punonjësve të tij.
”Ai e bën këtë sepse ka marrë direktiva nga lart dhe për këtë arsye është caktuar në këtë rol.
Siç e kemi përsëritur me fjalë dhe treguar me fakte, pas skemës së inceneratorëve është Edi Rama dhe Erion Veliaj. Ata janë ideatorët, nismëtarët dhe përfituesit kryesorë të megaskemës së kësaj afere. Klodianët, Mirelët, Alqët, Lefterët, Arbenët, dhe Farudinët e të tjerë, janë vetëm instrumente që dyshja Rama – Veliaj ka përdorur për të zhvatur dhe ndarë qindra miliona euro nga taksat e shqiptarëve”, tha Këlliçi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje