Politike

Albin Kurti ‘sfidon’ Ramën: Drejt Tiranës për kombëtaren kuqezi

Nga Gazeta Si- Sfida drejt Çekisë ka tërhequr edhe kryeministrit e Kosovës, Albin Kurti. Nëpërmjet postimit në rrjetet sociale, Kurti shkruan se do të jetë i pranishëm në sfidën e sotme në Air Albania në mbështetje të Shqipërisë.

“Bashkë me Lulzim Jasharin rrugës për Tiranë në përkrahje të Shqipërisë. Forca djema. Evropiani po na pret”, shkruan Kurti në foton e postuar në rrjetet sociale. E pikërisht udhëtimin drejt Tiranës ai po e bën së bashku me djalin e luftëtarit legjendar të UCCK-së, Adem Jasharit.

Kurti vjen pikërisht në Tiranë në ditën kur Parlamenti shqiptar votoi një rezolutë që dënoi sulmet e 24 shtatorit në Banjskë të Kosovës, duke kërkuar një hetim ndërkombëtar. Vetë kryeministri Edi Rama nuk ngurronte të sulmonte Albin Kurtin se me qëndrimet e tij dobësoi diplomatikisht Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe  ‘sulmon’ qeverinë shqiptare për politikë të brendshme elektorale.

“Pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së dhe SHBA-së si dhe vetëviktimimizimi diplomatik i Serbisë në ato sy falë dhuratave politike të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare në procesin e dialogut e bëjnë jo të lehtë këtë përpjekje nga ana jonë. Nuk bëmë një gjest konsumi të brendshëm elektoral sic janë prej kohësh tanimë, dhe e them me keqardhje, janë një sërë gjestesh të qeverisë në Prishtinë në raport me dialogun e normalizimit përfshirë dhe qeverisë sonë përmes zërava të dytë dhe të tretë, por mbajtëm një qëndrim parimor e politik në funksion të nxitjes së Bruksel për të siguruar një përçapje serioze për një qëndrim të unifikuar të 27 vendeve anëtare jo vetëm me qëndrimin e papranueshëm të Beogradit ndaj ngjarjes por dhe me masa kuptimplota në adresë të Serbisë dhe lidhur me çfarë vjen çfarë mund të vijë dhe nesër’”, u shpreh Rama në Parlament.

Nuk dihet nëse Rama dhe Kurti do ta ndjekin së bashku ndeshjen. Ndërsa kryeministri i Kosovës, e ka konfirmuar praninë e tij në samitin e Procesit të Berlinit që mbahet në Tiranë më 16 tetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë