Në ditën e dytë të vizitës në Tiranë, presidenti francez Emmanuel Macron u prit me ceremoni shtetërore nga homologu Bajram Begaj. Macron mbërriti në ambientet e Presidencës rreth orës 08:30 dhe bashkë me Begajn parakaluan para truprojës së nderit, ndërsa u interpretuan edhe himnet e dy vendeve.
Macron nënshkroi në librin e të ftuarve dhe më pas ceremonia u pasua nga fotoja zyrtare.
Më pas dy presidentët zhvilluan një takim ‘kokë më kokë’.
Siç njofton Presidenca, Begaj bisedoi me Macron për integrimin evropian të Shqipërisë dhe zhvillimet në rajon.




Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen, për mbështetjen e vyer që Franca dhe Presidenti Macron i kanë dhënë e i japin procesit të zgjerimit dhe të integrimit evropian të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Procesit të Berlinit.
Ai gjithashtu vlerësoi iniciativën e ndërmarrë një vit më parë nga Presidenti Macron, për lançimin e Komunitetit Politik Evropian, si një iniciativë që i jep më shumë mundësi Shqipërisë dhe vendeve të tjera kandidate në Bashkimin Evropian, të kenë më shumë akses në projektet e BE-së, veçanërisht në fushën e shkëmbimeve universitare dhe studentore.
Presidenti Begaj falenderoi Macron, për kontributin në mbështetje të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht përmes planit të quajtur franko-gjerman, duke nënvizuar nevojën e mbështetjes së mëtejshme të këtij dialogu, por edhe të nevojës së dënimit dhe të çkurajimit të akteve të dhunës dhe të provokimeve në komunat e Veriut të Kosovës.
“Kosova është vend sovran dhe i pavarur, dhe akte terroriste si ajo e Banjskës në Zveçan (24 shtator 2023), janë të papranueshme e të dënueshme për sigurinë e saj, por edhe të rajonit e të mbarë kontinentit evropian”.
Më pas Presidenti Macron do të takojë kryeministrin Edi Rama në zyrën e këtij të fundit.
Macron mbërriti në Tiranë një ditë më parë dhe e nisi vizitën e parë zyrtare me një ceremoni në Pallatin e Brigadave ku i dorëzoi shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare dekoratën më të lartë të Republikës së Francës “Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit”.
Më pas kryeministri Edi Rama shtroi edhe një darkë zyrtare për nder të figurës së tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje