Politike

Berisha: Samiti i Tiranës nuk doli me një dokument dhe nuk shtensionoi konfliktin në rajon

Sali Berisha përmes një konference për shtyp bëri një përmbledhje të samitit 24 orësh që u mbajt në Tiranë të hënën në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Samiti evropian u mblodh, por sherret ballkanike mbeten. Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet tokë sherri në Europë. Samiti ishte ngjarja më e madhe për rajonin. Rikonfirmonte mbështetjen e perspektivës evropiane për kombet e rajonit. Ky samit pati rezultat tjetër shumë të rëndësishëm, varrosjen në piramidën e diktatorit më stalinist të Europës, Enver Hoxhës, të projektit ruso-serb të Ballkanit të Hapur dhe së bashku me të, të ëndrrës së Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiçit, për ndarjen e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë.

Vetë, me mbledhjen e tij në Tiranë, samiti sillte në Ballkanin perëndimor, antidotin e sherrit, por ky efekt nuk pati.

Pse kjo? Sepse përtej fasadës, mikpritësi është vetë sherri…”, tha Berisha duke risjellë fjalën e Ramës së mbajtur në Kuvend për Kosovën që sipas tij nuk qetësoi marrëdhëniet mes tij dhe Albin Kurtit ditën e hënë gjatë Samitit.

Berisha tha gjithashtu se Samiti i Tiranës nuk doli me një deklaratë që të mbetet si dokument themelor

“Samiti, me gjithë fasadën, nuk arriti ndonjë rezultat konkret shtensionues për rajonin, sepse sherrin nuk e mbuloi dot fasada.

Tokë e kohës së ngadaltë!

Samiti i Tiranës u mblodh 20 vite pas samitit të Selanikut, në të cilin opozita shqiptare ishte e ftuar nga opozita greke. Këto 20 vite, nga rajoni, vetëm Kroacia është anëtare e BE.

Për vendet e tjera të rajonit, anëtarësimi në BE, mbetet për faj të regjimeve të tyre, horizont që largohet.

Samiti i Tiranës nuk pati një deklaratë që të mbetet si një dokument themelor historik i tij”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë