Beteja brenda PD-së të enjten është shtrirë edhe në gjykatë. Krahas debatit në Kuvend ku pala e Sali Berishës dhe e Gazment Bardhit janë në konflikt me palën e Lulzim Bashës se kush duhet ta përfaqësojë opozitën në komisionin për reformën zgjedhore, në gjykatë mbetet e hapur po aq çështja e vulës.
Në gjykatën e Tiranës të enjten ishin përfaqësues tre palë nga PD-ja. ‘Rithemelimi’ i Berishës, Bardhi (si përfaqësues i Këshillit Kombëtar) dhe PD-ja zyrtare e Bashës për regjistrimin e ndryshimeve statutore të Kuvendit Kombëtar të 2 shtatorit, ku u zgjodh kryetar Lulzim Basha.
I vetmi zhvillim ishte se Gjykata e Tiranës pranoi “Rithemelimin” dhe Gazment Bardhin si palë në proces gjyqësor, ndërsa vendimi u shty për një ditë tjetër (25 tetor)
Grupimi zyrtar i partisë Demokratike, përfaqësuar nga Rezart Kthupi dhe Indrit Sefa ishin kundër. Sipas tyre, ‘Rithemelimi’ është nul
“Autorizimi i Rithemelimit është një autorizim nul. Nuk kanë tagër që ata mund t’i kenë për t’u bërë pjesë në proces. Komisioni i Rithemelimit, në dijeninë time, nuk ka personalitet juridik. Si i tillë, nuk mund të lëshojë autorizim përfaqësimi. Komisioni i Rithemelimit e ka mbaruar mandatin në prill 2022. Nuk ekziston më si koncept Rithemelimi. Është hera e parë që pas gjykimit në Apel, që Rithemelimi vjen si entitet, ndonëse nuk ka mandat. Nuk kanë autorizim për këtë gjykim. Nuk mund të marrësh një autorizim e ta përdorësh për të gjitha llojet e gjyqeve”, tha Indrit Sefa.
Çlirim Gjata si përfaqësues i Rithemelimit tha se e njëjta situatë ndodhi edhe kur gjykata pranoi si palë grupin e Bashës kur padia ishte për ndryshimet statutore të Rithemelimit
“Këta hynë si palë e tretë në Apel. U pranuan si palë. Ndërsa tani, ankohen pse duam të bëhemi pjesë si palë e tretë. Unë vlerësoj qëndrimin e gjykatës, që po e shqyrton këtë çështje pa vonesë, sepse iu intereson edhe këtyre. Nëse këta duan ta zvarrisin, në rregull pastaj”, tha ai
Gjyqtari i çështjes tha se e sheh të nevojshme pjesëmarrjen e palëve, pasi kanë interes në zgjidhjen e këtij procesi:
“Gjykata ka vlerësuar se pjesëmarrja e palëve është e nevojshme, pasi kanë interes në zgjidhjen e këtij procesi. Në këtë moment, gjykata nuk gjen asnjë arsye të revokojë vendimi e saj të mëparshëm për thirrjen e palëve në proces si palë të treta.
Në lidhje me kërkesën e PD-së, përfaqësuar nga Këshilli Kombëtar, gjykata vlerëson të legjitimojë praninë e tyre. Në tagër që Këshilli Kombëtar i ka dhënë 7 deputetëve është edhe përfaqësimi në gjykatë.
Gjykata vlerëson se vullneti i Këshillit kombëtar ka qenë të përfaqësohet nga 7 deputetë. Këta 7 deputetë kanë të drejtën të zgjedhin një avokat. Në këto kushte, akti i përfaqësimit është konform ligjit.
Në lidhje me palën e tretë, PD-ja përfaqësuar nga Këshilli Kombëtar, gjykata vendos të legjitimojë në proces avokatët Marash Logu dhe Redi Ramaj.
Në lidhje me palën e tretë e përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit, gjykata mban parasysh që i referohet një momenti tjetër procedural të PD…
Duke pasur parasysh objektin e gjykimit, faktin që ka në objekt ndryshimin e studimeve statutore të shtatorit 2023, gjykata konstaton se autorizimi përkatës nuk përfshin tagra të përfaqësimit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje