Politike

Dosja ‘Partizani’ dhe hetimet ndaj Berishës bëjnë jehonë në mediat e huaja

Nga Gazeta ‘Si’- Lajmi për akuzat zyrtare të SPAK ndaj ish kryeministrit Sali Berisha për korrupsion dhe pastrim parash ka bërë jehonë edhe në agjencitë e huaja të lajmeve.

Reuters, AFP dhe AP kanë shkruar për arrestimin e dhëndrrit të Berishës, Jamarbër Malltezi i cili dyshohet se ka shfrytëzuar postin e Berishës si kryeministër për të privatizuar kompleksin sportiv “Partizani” në Tiranë, në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes për të ndërtuar më pas apartamente.

“Ish-kryeministri 79-vjeçar i hodhi poshtë akuzat ndaj tij si ‘thjesht dhe tërësisht politike’ në një konferencë për shtyp, duke akuzuar si përgjegjës kryeministrin Edi Rama. Ai pretendoi se Malltezi akuzohej vetëm sepse ishte dhëndër i tij”, shkruan AFP.

Reuters thekson se procedimi penal filloi në vitin 2020 kur ministri aktual i Brendshëm Taulant Balla akuzoi Berishën si të përfshirë në privatizimin e terreneve dhe objekteve të tjera sportive që i përkisnin FC Partizani në Tiranë, të cilat më pas u zëvendësuan me ndërtesa shumëkatëshe.

“Vitin e kaluar atij iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara dhe në Mbretërinë e Bashkuar për përfshirjen e tij në krimin e organizuar dhe korrupsionin, akuza që ai i hodhi poshtë. Uashingtoni akuzoi Berishën për ‘keqpërdorim të fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike’ në dobi financiare të familjes dhe aleatëve të tij.

Watchdogs e renditin rregullisht Shqipërinë si një nga vendet më të korruptuara në Europë dhe është gjithashtu një nga më të varfrat e kontinentit”, vijon më tej artikulli i Reuters.

Për shpalljen non-grata ka shkruar edhe AP.

“Në maj të vitit 2021, qeveria amerikane ndaloi Berishën dhe familjen e tij të ngushtë të hynin në vend për shkak të përfshirjes së dyshuar në korrupsion. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se gjatë mandatit të Berishës si kryeministër 2005-2013, politikani ishte përfshirë në akte korruptive dhe kishte përdorur ‘pushtetin e tij për përfitimin e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”.

Blinken akuzoi gjithashtu Berishën për ndërhyrje në ‘hetimet e pavarura, përpjekjet kundër korrupsionit dhe masat e llogaridhënies’. Ai tha se ‘aktet korruptive të Berishës minuan demokracinë në Shqipëri”, thekson AP e cila shton se lufta kundër korrupsionit ka qenë thembra e Akilit e Shqipërisë postkomuniste.

“Berisha ishte zyrtari i katërt i lartë shqiptar që iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes së dyshuar në korrupsion”, mbyll më tej artikullin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë