Politike

Berisha nuk shkon në GJKKO, çon avokatin e tij: Gjykatësja të heqë masën antikushtetuese… Dhe ta shikojë ajo, shkoj apo jo unë!

Sali Berisha refuzoi të paraqitej në gjykatë në orën 14.00 për tu njohur me masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’.

Ai çoi në gjykatë avokatët Sokol Mengjezi dhe Genc Gjokutaj me prokurë të posaçme, ndërsa në atë orë Berisha doli në një konference për shtyp duke deklaruar se, “Rama i ka shpallur luftë opozitës”.

“Edi Rama i ka shpallur luftë opozitës dhe unë u them demokratëve kudo që janë se me aktin e fundit ai i ka shpallur luftë totale dhe ne do t’i përgjigjemi atij me të gjithë forcën dhe mundësitë tona”.

Ai mbajti një qëndrim të ashpër edhe ndaj gjykatëses së çështjes kur u pyet nga media se pse kishte çuar avokatin në gjykatë në një kohë kur po pretendonte se, ‘procedura e ndjekur ndaj tij ishte në shkelje të Kushtetutës ndaj dhe nuk do paraqitej në gjykatë’

“Është ndryshe kjo. Nuk është se unë nuk e pranoj. E deklarova më parë dhe e deklaroj me sinqeritetin më të madh, se unë sa herë të thirrem do të shkoj. Të heq gjykatësi masën antikushtetuese dhe ta provojë a do të shkoj unë apo jo.

Por vendosja e masës antikushtetuese pa marrë leje nga parlamenti është përdhosje e kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Se ka një gjykatëse të papërgjegjshme, vasale të mjerë që i lejon vetes një vendim, unë nuk mund ti lejoj vetes të shkel kushtetutën. Që nesër po të sjellin amendamentin e vitit 2012 në parlament, Sali Berisha e voton. Unë jam për barazi të qytetarëve para ligjit themelor të shtetit. E kam dëshmuar që nuk kam qenë për asnjë diskriminim mes deputetit dhe zgjedhësit. Në këtë mënyrë siç i bën Edi Rama është republika e kanabisit, drogës”, tha ai

A do ketë protesta?

“Asnjë gjë nuk është jashtë tavolinës.  Të gjitha janë në tryezë.

Ne, siç e shihni, kemi të bëjmë me një proces monstruoz politik. Kur Edi Rama, me dy skapistë dhe një tjetër, vënë në tryezë reformat e suksesshme, sepse ajo ekonomi, për dijeninë tuaj, atë vit që janë emetuar bonot, jo për shkak të bonove, ka pasur një rritje prej 8.3 përqind sipas institucioneve ndërkombëtare.

U them atyre që kapin penën dhe shpifin duke cituar dacibaon e prokurorisë, vetëm sa baltosni moralin tuaj sepse një gazetar është i detyruar që të paraqesë, nëse i intereson e vërteta, të dy variantet. Të dy palët.

Krijojnë narrativa nga më primitivet, ky djalosh (Malltezi) me 113 metër katror, doli me 5.2 milionë euro. Gjithçka e bazuar në shpifje, gjithçka e bazuar në turpin e fshehjes së dokumenteve. Gjithçka e bazuar në manipulimin e dokumenteve.

Se një djalosh tjetër, në të njëjtat kushte, absolutisht mund të dilte të paktën edhe 20 përqind më shumë. Por ky zgjodhi atë rrugë. Kaq!”, u përgjigj ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë