Politike

Hasani në Këshillin i Sigurimit të OKB: Dënojmë sulmet e Hezbollahut mbi Izraelin

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri shqiptar për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka marrë pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit për situatën në Lindjen e Mesme, ku dhe dënoi sulmet ndaj Izraelit duke u bërë thirrje palëve për përmbajtje ndaj veprimeve të paprovokuara.

Ndërsa u ndal tek çështja humanitare në Gaza, Ministri Hasani deklaroi se situata mbetet dramatike, teksa nënvizoi rëndësinë për rrjedhjen normale të ndihmës humanitare për civilët.

“Ne dënojmë sulmin në spitalin Al-Ahli, që ndodhi të martën e kaluar dhe bëjmë thirrje për hetim të plotë të atyre që janë përgjegjës për një akt të tillë. Ne mirëpresim marrëveshjet e bëra deri më tani për kalimin e autokolonave humanitare në Gaza, me ujë, ushqim dhe furnizime mjekësore.

Megjithëse nevojiten shumë më tepër për të plotësuar nevojat, përpjekjet duhet të vazhdojnë dhe diplomacia duhet të mbizotërojë gjithmonë. Ne përgëzojmë Egjiptin, Shteteve të Bashkuara, Izraelin dhe Sekretarin e Përgjithshëm, për përpjekjet në këtë drejtim. Ndihma humanitare për civilët duhet të vazhdojë pa pengesa për të gjithë ata që kanë nevojë, duhet të sigurohet karburanti dhe rivendosja e energjisë elektrike. Rrjedha normale dhe e papenguar e ndihmës humanitare duhet të garantohet nëpërmjet pauzave humanitare”, u shpreh Ministri.

Hasani u shpreh kundra retorikave provokuese, të cilat sipas tij thellojnë konfliktin dhe rrisin tensionin në të gjithë Lindjen e Mesme.

“E fundit, por aspak, më pak e rëndësishmja, duhet bërë gjithçka për të shmangur një përhapje të konfliktit që do të tensiononte të gjithë Lindjen e Mesme. Ne dënojmë sulmet e Hezbollahut mbi Izraelin dhe i bëjmë thirrje që të përmbahen nga veprimet e paprovokuara si dhe të respektojnë plotësisht Rezolutën 1706 të KS të OKB-së. Retorika provokuese, kërcënuese dhe nxitëse, nuk ndihmon. Është koha për të vepruar me pjekuri, të përcjellim mesazhe kujdesi dhe përgjegjësie”, tha ai.

Sa i përket qytetarëve të marrë peng nga Hamasi, Hasani u shpreh se “ne mirëpresim lirimin e pengjeve dhe çdo përpjekje në këtë drejtim meriton të vlerësohet. Në radhë të parë, civilët nuk duhet të ishin rrëmbyer asnjëherë dhe të gjithë duhet të lirohen pa kushte”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë