Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria po planifikon forcimin e pozitës së Perfektit në çdo qark të vendit, duke i dhënë atij kompetenca që ‘kërcënojnë’ edhe pushtetin e kryebashkiakut.
Sipas një projektligji të ri të hedhur në konsultim nga ministria e Brendshme, strukturat e pushtetit vendor do t’i raportojnë Prefektit ecurinë e projekteve, menaxhimin e fondeve, çështjet e sigurisë dhe lëvizje të tjera brenda institucionit.
Një ndër ndryshimet, ai që hapi dhe debat mes ekspertëve është fuqizimi i Prefektit për të propozuar edhe shkarkimin e kreu të bashkisë tek ministri përgjegjës.
“Të propozojë pranë ministrit përgjegjës për çështjet vendore shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë pjesë e qarkut përkatës në rast të kryerjes së shkeljeve të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve”, thuhet në projektligj.
Për ekspertin e çështjeve vendore, Agron Haxhimali, pyetur nga Gazetasi.al, kjo është burokraci dhe nuk sjell asnjë efekt pozitiv.
“Mendoj se nuk është e drejtë. Ka përplasje në hierarkinë ligjor. Në këtë rast, autoriteti i Prefektit vendoset mbi autoritetet e tjera. Nuk gjej asnjë vlerë të pushtetit të Prefektit. Kryetarët janë të zgjedhur nga qytetarët”, shprehet Haxhimali, që drejton dhe Institutin e Bashkive në vend.

Ai sqaron se në ligjin për vetëqeverisjen vendore (139/2015), përcaktohet se shkarkimi i një kryebashkiaku bëhet nga Këshilli i Ministrave.
“Nëse edhe Prefektit do t’i jepet kjo e drejtë, i bie që ligji ‘Për Prefektin e Qarkut’ të prevalojë mbi ligjin 139/2015 që nga hierarkia është më lart, dhe se bashkitë që janë institucione kushtetuese dhe të pavarura”, thotë eksperti Haxhimali.
Po ashtu ai shton se edhe kompetencat e tjera që i jep ky projektligj Prefektit, nuk është i drejtë, pasi ka institucione përgjegjëse që mund të bëjnë kontrolle dhe monitorime të projekteve apo financave.
“Të gjitha këto çështje te pika “k” dhe “l”, në një farë mënyrë rikthejnë rolin e prefektit të dikurshëm që bënte auditime të fondeve. “Është një mbivendosje me autoritetet e tjera që kanë përgjegjësinë për të monitoruar këto fonde të kushtëzuara”, pohon ai, teksa sugjeron që të riformulohen përgjegjësitë për Prefektin.
Haxhimali shpreh shqetësimin se ngritja e Prefektit si fuqi vendore do të shtojë edhe kosto në buxhet.
“Ana tjetër e medaljes është; a ka Prefektura kapacitet për këtë volum pune? Jo. Prandaj për këtë do të kërkojë buxhet shtesë, por pse duhet të paguajnë qytetarët për këtë?”, mbyll eksperti komentin e tij për Gazetasi.al.
Projektligji që mban firmën e ministrit Taulant Balla është në fazë konsultimi dhe do të qëndrojë aty deri në fund të muajit nëntor, për të pësuar ndryshime në bazë të sugjerimeve ose për t’u miratuar direkte nga qeveria dhe më pas parlamenti,
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje