Politike

Ç’po paralajmëron Topalli? ‘Kam pasur ulje-ngritje të forta në jetë, por e dua përsëri sfidën’

Në 60-vjetorin e ditëlindjes së saj, ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, që mban mbi supe një karrierë të gjatë politike, ka përcjellë një rrëfim emocional dhe reflektues (jo të shkurtër) të jetës së saj, e ndërlidhur gjithnjë me politikën.

Topalli shkruan se në jetën e saj ka pasur ulje dhe ngritje shumë të forta, tregon për pengun e saj më të madh në jetë, por paralajmëron gjithashtu se është gati për sfida të reja. Për çfarë konkretisht? Aktualisht ajo është anëtare e kryesisë së PD së Rithemelimit dhe kryetare e grupit të punës për Qarkun e Lezhës.

Postimi i plotë i Jozefina Topallit:

Në këtë ditë shumë speciale për mua, ndihem më e lirë nga çfarë isha 30 vjeçe, më konfidente dhe në të njëjtën kohë më e përulur, por edhe e veshur me një eksperiencë të pafundme.

Jeta ime ka pasur ulje dhe ngritje shumë të forta.

Edhe pse ajo shpesh nuk është varur nga unë, në atë pjesë që ndikohej nga unë, në udhën time, zgjedhjet e zgjidhjet, cdo gjë e cdo herë i kam bërë në mënyrën time..

Jo pak herë as nuk më kanë kuptuar, shumë herë më kanë keqkuptuar, por kjo nuk më ka frenu me besu në atë që konsideroja të drejtë.

Unë kam pasur fat, që jo të gjithë e kanë. Kam dy fëmijë, që nuk më kanë lënduar kurrë zemrën;

Kam bashkëshortin, që më ka mbështetur gjithmonë edhe kur mendonte ndryshe nga unë, duke u bërë në fakt shtylla e ekuilibrit dhe e gëzimit në shtëpinë  tonë, me mençurinë, tolerancën dhe humorin e tij.

Por unë nuk jam vetëm një mamë e lumtur e dy fëmijëve të dashur, as vetëm bashkëshorte e privilegjuar, sot familja jonë është zgjeruar me dy nipa, që më japin dashuri të pafundme.

Në këtë ditë kujtoj nanën e babën, që na rritën përmes sakrificave e varferise me dashuri të madhe. Ata kurrë nuk na përcollën ne vuajtjet, ankthet e  frikërat e tyre për të ardhmen tonë. Pavarësisht stuhive të jetës së tyre, ata na e bënë fëmijërinë time, të vellait e të motrës, të bukur e të pa shoqe; na mësuan edukatën, punën, dinjitetin e dashurinë për familjen e njerëzit.

Për anët e tjera të jetës unë kam qenë gjithmonë vetja ime.

Unë nuk mund të isha ajo, që nuk jam.

Kam filluar të punoj për të ndihmuar familjen qëkur isha 12 vjeçe.

Kam pasur kurajon për të rrezuar në fillim të gjithë muret e mia.

Kam qeshur e kam qarë, kam gabuar ,kam humbur, kam punuar dhe kam fituar.

Por, çdo gjë e çdo herë e kam bërë në mënyrën time, duke bërë kujdes të ruaja përherë dinjitetin!

Rruga ime ka qenë krejt unike!

Nga një gjimnaziste fituese olimpiadash të matematikës në punëtore bujqësie ( gjysëm e internuar), deri dhe  Kryetarja e parë e Parlamentit grua.

Që e vogël kam vendosur, që të mos ecja në hijen e askujt.

Më thonin se jam e ashpër, kur punoja për atë që mendoja se ishte e drejtë; kur luftoja për të rrëzuar gurët e murit të krimit e të pa drejtësive në Kuvend!

Nuk i kam kthyer kurrë shpinën njeriut, por edhe nuk kam dashur kurrë të ik nga vehtja ime.

Me thonin se jam e fortë, kur në fakt isha më shumë  e ndrojtur.

Kam jetuar vetëm çfarë kam besuar, por me një kosto jo të vogël për familjen time e në vecanti për fëmijët e mi që nuk kishin mamën e tyre në shtëpi si cdo fëmijë 1 vjec sic ka qenë Genari kur unë hyra në Parlament, në një kohë shumë të vështirë për PD.

Ky është një peng që do me ndjekë deri kur të kem frymë.

Thuhet se cdo ditëlindje është një fillim i ri. Unë ashtu e ndjej.

Dua jetën dhe dua përsëri sfidën.

Falenderoj të gjithë ata, që më mbështetën e më deshën pa interes!


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë