Gazeta Si – Partia Demokratike e ka festuar e ndarë 33-vjetorin e themelimit të saj mbrëmjen e kësaj të hëne. Përçarja e liderave politikë dhe deputetëve, ka bërë që edhe këtë ditë të rëndësishme ta festojnë të ndarë.
Lulzim Basha e ka festuar me simpatizantët e tij në Pallatin e Kongreseve. Organizimit të Bashës, mësohet se i është bashkuar edhe ish-presidenti Bamir Topi.

Ndërkohë në ceremoninë e Rithemelimit në një hotel në Tiranë, Berisha shoqërohej nga e bija, Argita Malltezi, por mungonin aleatët e tij, si Fatmir Mediu e Dashamir Shehu, ndërsa Partia e Lirisë përfaqësohej nga ish-deputetja Silva Caka.
Sakaq, në fjalimin e tij, Basha tha se PD është e shqiptarëve, ndërsa shtoi se “në këtë përvjetor një pjesë e jona sillet akoma rrugëve, e verbuar nga interesi personal e frikësuar nga gjykimi i historisë e trembur nga dora e drejtësisë”. Sipas tij, asnjë nuk mund “ta bëjë pis këtë ngjarje të historisë sonë”.
Ndërsa kryedemokrati Sali Berisha tha në fjalën e tij se prioriteti i demokratëve ka qenë në të gjitha momentet interesi kombëtar.
“PD u themelua si parti e parë në Europën ish-komuniste që kërkoi anëtarësimin në NATO. Partitë e tjera u themeluan, por në deklaratat e tyre të para, kërkonin jashtë blloqeve, as Varshava dhe as NATO”, tha ai.
A u ndal edhe tek e tashmja në PD. Berisha theksoi se vitet më të rënda për partinë kanë qenë vitet 2013-2021.
Më tej u shpreh se beteja në parlament është drita në fund të tuneli. “Beteja pa kthim që ka nisur në parlament është drita në fund të tunelit, që duhet të ndriçojë mendjen, zemrën, shpirtin e çdo demokrati dhe demokrateje. Duhet të bëjmë çdo gjë, t’i marrim me vete, t’i vendosim në piedestal të rinjtë e këtij vendi. Nuk ka forcë në botë që u reziston atyre”, theksoi Berisha.
Ndërkohë, në këto dy organizime mungojnë deputetët mbështetës të Gazment Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje