Një nga njohësit më të mirë të politikës në vend, veçanërisht të Partisë Demokratike, Afrim Krasniqi, nuk ka asnjë dilemë, kur bëhet fjalë për të hetuar një politikan, kushdoqoftë ai. Edhe Sali Berisha. Në këtë këndvështrim, ish-bashkëpunëtori i ish-Presidentit Berisha deri 25 vite më parë, beson se PD duhet ta ndajë betejën politike nga beteja ligjore e zotit Berisha. Në një intervistë për Gazeta Si, zoti Krasniqi flet për standardet e dyfishta të PS, nevojës që vendi ka për ndryshimin e qeverisjes dhe, veçanërisht, për nevojën jetike të reformimit të opozitës, në mënyrë që të shndërrohet në një alternativë qeverisëse në zgjedhjet e vitit 2025.
Me vendimin për të lejuar arrestimin e zotit Berisha, a mori Parlamenti një vendim të drejtë, në një kohë, kur kemi pretendimin e Berishës se procedura fillestare e ndjekur nga SPAK për kufizimin e lirisë së tij, ishte antikushtetuese dhe duhej çuar që në fillim në parlament?
“Mendoj se parlamenti, në çdo rast të kërkesës për heqje imuniteti dhe masa të tjera hetimi ndaj deputetëve, duhet të ketë vetëm një standard, miratimin e plotë të kërkesave që vijnë nga SPAK. Imuniteti e mbron individin nga persekutimi politik, jo nga hetimi lidhur me akuza nga organet e drejtësisë. Kuvendi nuk ka ekspertizë hetimore dhe as funksion hetimor. Rastet kur Kuvendi ka penguar hetimet e drejtësisë janë histori negative që nuk ka arsye të përsëriten. Kuvendi nuk dënon, Kuvendi krijon mundësi që drejtësia të veprojë. Organet e drejtësisë, SPAK dhe gjykata speciale do të jenë organet që gjykojnë provat, akuzat, pretendimet dhe që japin verdiktin ligjor mbi fajësinë apo pafajësinë. Pretendimet se ka cenim të lirive kushtetuese duhet të adresohen në Gjykatë Kushtetuese për të evituar paqartësi dhe për të krijuar standarde referimi për të ardhmen. Padia në Gjykatën Kushtetuese është bërë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në kompetenca jo për individë apo dosje konkrete. Dy proceset janë paralele dhe nuk shoh lidhje apo impakt midis tyre.
Shikoni qëndrim me dy standarde të PS, kur për Berishën vendos arrest, ndërsa për ish ministrin e brendshëm Tahiri, me një akuzë shumë me të rëndë, grup i strukturuar kriminal, e refuzoi arrestin?
“Po, Partia Socialiste ka ndryshuar qëndrim disa herë, përfshirë edhe në rastin Tahiri. Aktualisht PS po refuzon komisionet hetimore të kërkuara nga opozita, pra një funksion klasik parlamentar, ndërkohë që po miraton hetimet nga SPAK për një deputet që vjen nga opozita. PS po përfiton nga shumica e bindur në dispozicion dhe arroganca e dukshme, por në aspektin afatgjatë PS do të përballet vetë me raste të njëjta dhe do të jetë e detyruar të ndjekë të njëjtin parim. Rasti Tahiri është kritikuar në raport progresin e Komisionit Europian, të vitit 2017 nuk ndaj nuk është model për t’u zgjedhur, por model për t’u refuzuar”.
Nga ana tjetër edhe opozita aktuale, nismëtare e heqjes së plotë të imunitetit më 2012 ka ndryshuar qëndrim dhe po përdor argumente politikë për të evituar hetimet aktuale. Dy palët bëjnë politikë, por parimi mbetet i njëjtë: politikanët duhet të japin llogari përpara drejtësisë, nëse ka akuza ndaj tyre, me parimin se para drejtësisë janë të gjithë të barabartë.
Çfarë efekti kanë protestat e nisura nga opozita? Janë një mjet presioni, duan të tregohet se Berisha nuk është vetëm apo ish kryeministri ka një qëllim tjetër?
“Në traditën tonë të brishtë, por edhe rajonale, një linjë e hollë e ndan fajin nga heroizmi. Kur Nano u arrestua për korrupsion dhe abuzim, partia e tij e mbështeti dhe e shndërroi në hero. Kur ai u rikthye në pushtet, e përdori pushtetin për të marrë pafajësinë. E njëjta situatë ka ndodhur në disa raste edhe në krahun e djathtë. Aktualisht, po përdoret e njëjta formë, por jemi në kohë tjetër, në rrethana të tjera dhe me bazë tjetër ligjore. Për këtë arsye, protestat politike lidhur me çështje hetimore janë jofunksionale, presion pa efekt, konflikt interesi dhe këshilla e gabuar që kanë marrë nismëtarët e tyre. Opozita duhet të mbrojë parime të qarta antikorrupsioni dhe të krijojë standarde integriteti, nëse do të bëhet shumicë në zgjedhjet e radhës, gjë që kërkon sjellje e akte të kundërta me ato aktuale. Asnjë parti moderne europiane nuk mbetet peng i dosjeve hetimore apo akuzave ndaj titullarit periodik në krye të saj. Hetimet dhe mbrojtja janë lëndë për avokatë, jo për partinë politike”.
Me Berishën të izoluar, çfarë duhet të bëjë Partia Demokratike e drejtuar prej tij dhe grupi parlamentar që po tenton bashkimin edhe në parti, kur s’ka mbetur dhe shumë kohë nga zgjedhjet e ardhshme?
“Dy PD-të nuk mund të jenë shumicë dhe të sjellin rotacion, nëse nuk reformohen dhe ndryshojnë qasjen, aksionin politik, imazhin dhe përfaqësimin. Eksperienca e viteve 1992 dhe 2005 tek PD apo 2013 tek PS tregon se ekipet e reja politike, jo peng i të kaluarës, krijojnë besim dhe sjellin vota vendimmtare. Dy palët dhe fraksionet e vogla mes tyre duhet të diskutojnë dhe të krijojnë një platformë tranzicioni të drejtimit në ekip, me figura të reja politike, praktikë që përdoret gjerësisht në situata të njëjta në EPP. Tek të dy palët ka individë të tillë me integritet dhe besueshmëri, kurse mbajtja peng pas axhendave personale të titullarëve, në thelb, përbën pengesën kryesore për reformim dhe dhuratën më të mirë politike për të majtën në qeveri, e cila në mandatin e tretë po shfaq të gjitha tiparet e një elite politike të paaftë për reforma, të korruptuar dhe oligarkike. Vendi ka nevojë për energji të reja, burime të reja njerëzore, imazhe të reja dhe kontratë të re sociale. Në teoritë klasike politike, përgjegjësia për këtë i takon alternativave që vijnë nga opozitat politike”.
Ka shumë njerëz që e kanë parë protagonizmin e Argita Malltezit, së fundmi, si testim të vendimit të Berishës për t’i trashëguar drejtimin e PD-së. Cili është opinioni juaj?
“Nuk e shoh si akt apo zhvillim politik që lidhet me institucionin e opozitës, ndaj nuk mendoj se ka nevojë për një opinion profesional në lidhje me akte të tilla simbolike”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje