“Askush nuk do që të dalë i humbur. Bonusi i qirasë cash është tre vjet, por të moshuarit që u dërguan te banesat sociale mund ta mbajnë gjithmonë”, kështu u shpreh kryetari i Bashkisë, Erjon Veliaj, në një takim mesditën e sotme me banorët e Unazës së Re.
Veliaj ka falënderuar banorët që pranuan t’i hapin rrugë zbatimit të projektit, që do ta kthejë edhe këtë segment të Unazës në një rrugë sipas të gjitha standardeve, duke çliruar në të njëjtën kohë edhe trafikun e makinave si dhe i ka mëshuar fort faktit se nga projektet që sjellin zhvillim në qytet nuk humbet askush.
“Ky qytet e ka ndarë mendjen të zhvillohet dhe duhet të eci përpara. Arsyeja pse dua të falënderoj të gjithë miqtë e tjerë është se të paktën këtu nuk kemi ndarje, këtu kemi dakordësi maksimale që ky qytet do të zhvillohet, do eci përpara, do ndërtohet, do bëhen rrugë, do bëhen shkolla, do bëhen kopshte, do bëhen çerdhe, parqe dhe shpesh herë për këto punë do të duhet me hap rrugë të disa ndërtimeve, kjo nuk do as mend as kalem. Fakti që kemi stabilizuar këtë bazë dakordësie është një fillim i mirë. Këtu asnjë nuk do që të ketë të humbur dhe besoj që ekziston i gjithë mirëkuptimi, dashamirësia që të mos humbasë askush. Kur flas të mos humbasë askush dua t’i ndaj këto kategori. Kush është hallexhi, kush është pa lekë, kush është pa legalizim, si rasti i 2 familjeve që lëvizën mbrëmë, e pashë familjen e parë, do shkoj ta takoj prapë, kishin bo shtëpi me kushtet, me një jetë shumë të vështirë te kanali i ujërave të zeza. Brenda në shtëpinë që u prish mbrëmë, te dy të parat,ishte puseta e ujërave të zeza. Kishin vënë qilimin sipër, tavolinën sipër qilimit dhe jetonin mbi kapakun e ujërave të zeza. Sot janë te banesat sociale, por prapë më mirë që u prish ajo gjëja pa leje mbi kolektor dhe sot kanë një shtëpi të cilën mund ta mbajnë pafundësisht”, tha ndër të tjera Veliaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje