Politike

Biden i dërgon përsëri Senatit emrin e Kostelancik për ambasador të SHBA-së në Shqipëri

Shtëpia e Bardhë ka propozuar sërish David Kostelancik si ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

Ripropozimi vjen pas mosmiratimit që Senati i bëri një javë më parë për shkak të tejkalimit të afateve zyrtare.

 “David J. Kostelancik, nga Illinois, Anëtar Karriere i Shërbimit të Jashtëm të Lartë, Klasa Ministër Këshilltar, nominohet për të qenë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Kandidatura Kostelancik u kthye të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, në bazë të një klauzole të rregullave të Senatit sipas së cilës “emërimet që as nuk janë konfirmuar, as nuk janë hedhur poshtë nga Senati në kohën kur mbyllet sesioni legjislativ”, i kthehen Presidentit.

“Nëse një emërim i kthehet Presidentit, ai nuk mund të shqyrtohet më nga Senati. Presidenti mund të paraqesë një emërim të ri për të njëjtin kandidat, ose për një kandidat të ri”, thuhet në rregullat e Senatit.

Në rastet kur Presidenti ridërgon të njejtën kandidaturë, procesi në senat fillon nga e para, por komisioni përkatës që shqyrton kandidaturën ka kompetenca të gjera dhe mund ta thërrasë sërish për dëshmi ose jo. Në rastet që kanë ndodhur në të shkuarën, për shumicën e riemërimeve, komisionet nuk i rithërrasin kandidaturat për dëshmi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë