Politike

Basha: Ka një komplot për Reformën Zgjedhore. Rama do të godasë SPAK-un. PS dhe të tjerët bëjnë sikur shahen ditën, por natën bëjnë pazare

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një konferencë për mediat ka komentuar kaosin e krijuar nga deputetët e Rithemelimit, të cilët nuk lejuan që të mbaheshin punimet e komisionit për Reformën Zgjedhore.

Basha hodhi akuza se ky skenar është krijuar me regji të Edi Ramës, pasi sipas tij nuk e duan këtë reformë, e as listat e hapura.

“Teatri i reformës zgjedhore që me ndihmën e regjisorit Edi Rama ka marrë drejtim qesharak. Debati është zhvendosur përdhunshëm në lloj lloj temash, por jo në thelbin e interesit të shqiptarëve. Ka një komplot, duke nisur nga Rama dhe PS dhe nga të tjerët që bëjnë sikur shahen ditën por natën bëjnë pazare, që të mos kemi lista të hapura.

Në funksion të këtij komploti, ndodh ajo që quhet tym dhe pasqyra. Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet zhvillohen në pranverën e vitit të ardhshëm dhe tani është koha për një sistem zgjedhor. Në 24 orë të bësh xhiron e medias diskutohet për gjithçka përjashtuar këto çështje. Përpjekja për të na hequr nga këto çështje diku me tym dhe pasqyra dhe diku me shfaqje si ajo e paradites, nuk do të na kthejë pas. Listat e hapura, barazia e votës, pra Shqipëria një zonë elektorale. Një deputet në Vlorë zgjidhet me 8500 vota, në Kukës me 13 mijë vota. Mënyra për ta zgjidhur është Shqipëria një zonë elektorale dhe kjo i jep fund debatit se ku do të votojë diaspora, siç e ka Kosova apo Holanda. Javët do të kalojnë dhe pastaj do të thotë Edi Rama s’kemi kohë.

Ndaj dhe shfaqje si ajo e sotmja edhe në mos qofshin plotësisht të koordinuara, i shërbejnë vetëm atij që nuk e do reformën zgjedhore. Ky është një kurth që nuk do të arrijnë ta fusin dot kollaj Partinë Demokratike. Edi Rama e di që me këtë Kod nuk mund të shkojë në zgjedhje”, deklaroi Basha.

I pyetur se përse bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, nuk shkoi në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Basha tha se “Nikolla dhe Rama kishin skenar që të krijonin një tjetër përplasje mes demokratëve, si ajo mes Bardhit-Nokës e Açkës.”

Ai shtoi se se Alibeaj i ka dërguar shkresë Nikollës që të garantojë funksionalitetin e komisionit, por sipas tij kjo nuk i intereson PS.

“Është detyrë e qeverisë të garantojë funksionalitetin e komisionit, Nikolla dhe Rama kishin plan të krijonin një përplasje si ajo që ndodhi para dy ditësh dhe pastaj të fërkonin duart. E kanë me shkrim kërkesën e Alibeajt të garantojnë funksionalitetin e komisionit, ne s’jemi as polici e gardë, është përgjegjësi e Kuvendit që të garantojë funksionalitetin e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Nuk e duan Reformën, po duan të thonë nuk e bëjmë për shkak të opozitës, por ne nuk bëhemi pjesë e kësaj loje”, tha Basha.

Ndërsa i pyetur nëse do të bashkojnë votat me Partinë Socialiste për Reformën Zgjedhore, Basha në përgjigjen e tij tha se PD do të votojë çdo projekt të propozimit të vetë publik që e konsideron pjesë të interesit publik.

Ai shtoi se duan lista të hapura, votim e numërim elektronik, votën e diasporës dhe Shqipërinë një zonë elektorale.

Të bëjmë një debat publik, mos të merremi me e lagu se lagu bishtin dhia. Çështja themelore është të shpalosim qëndrimet”, tha Basha.

Kreu demokrat tha gjithashtu se PS ka planifikuar të ngrejë një komision për kontrollimin e SPAK, ndërsa shtoi se nëse një iniciativë e tillë është e vërtetë, PD  do të jetë kundër.

“Qeveria ka nxjerrë nga sirtarët një qasje për të kontrolluar dhe goditur SPAK dhe Reformën në Drejtësi përmes një komisioni të drejtave të njeriut që shkelen nga institucionet e drejtësisë. Mirëpres të përgënjeshtrohet, por nëse një çështje e tillë është diskutuar ne jemi 100% kundër.

PD është i vetmi formacion që mbështet pa kushte SPAK, sepse është shansi i vetëm në 33 vite për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.Nëse një manovër e tillë po mendohet nga partia në pushtet, mund të llogarisin dhe kundërshton e gjithanshëm të PD-së”, deklaroi ai.

Basha gjithashtu tha në konferencë se të hënën(22 janar) do të depozitojnë në Kuvend një amendament të buxhetit, ku do të kërkojnë rialokimin e 5 mld lekëve të reja ndihmë ushtarake për Kosovën.

“Ka qenë një javë intensive, me zhvillime që kanë kapluar tv, por zhvillime të tjera më të rëndësishme kanë mbetur pa u sqaruar. Nga këto do të veçoja 3.

Gjatë javës që po lëmë pas, është përvijuar dhe më qartë kërcënimi që i paraqitet paqes dhe stabilitetit në rajon nga revanshizmi i Serbisë në dogmën e botës serbe. Hap i fundit mbetet sulmi në Banjskë, akoma i pa hetuar, por ajo që po vlon në Beograd, sipas deklaratave të lidershipit serb, është armatosja e Serbisë për një revansh në Kosovë. Partnerët tanë strategjikë i kanë bërë të qarta qëndrimet e tyre. Ndërkohë në Tiranë nuk dëgjon gjë tjetër veçse kukuvajkat te kryeministria. Asgjë për interesin kombëtar, dhe kjo është simptomë e një klase politike të shkëputur nga interesi kombëtar.

Opozita ka në dorë jo thjesht të tregojë me gisht plagën, të vërë para përgjegjësisë shkaktarin e kësaj plage, por të kërkojë hapa aktivë. Të hënën PD do të depozitojë në Kuvend një amendament të buxhetit që u kalua në 7 minuta, ku do të kërkojë rialokimin, e 5 miliardëve të reja ndihmë ushtarake për Kosovën”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë