Politike

Basha: Në Ballkanin Perëndimor, autokratët shpesh janë toleruar në manipulimin e zgjedhjeve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë në Asamblenë Parlamentare të KiE, ku gjatë fjalës është ndalur tek zgjedhjet e fundit në Serbi. Sipas Bashës volitet një hetim ndërkombëtar.

“Parregullësitë, të bëra publike nga vëzhguesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Parlamentit Europian dhe OSBE-ODIHR, u ndoqën nga një fushatë sulmesh nga politikanët e partisë në pushtet dhe media e kontrolluar nga ata.

Dhuna brutale kundër liderit të një partie të opozitës, Nikola Sandulovic, thjesht sepse u përul para varrit të një vajze 7-vjeçare të vrarë pranë familjes Jashari në Prekaz, duhet të kumbojë kudo si një dëshmi e një fushate intimidimi dhe ndëshkimi, kjo nga një vend që kërkon anëtarësim në BE.

Në Ballkanin Perëndimor, autokratët shpesh janë toleruar në manipulimin e zgjedhjeve, me shpresën e vagullt dhe të rreme për të ruajtur stabilitetin në këmbim të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Tani përballemi me pasojat e kësaj qasje të dështuar: viktimat e para janë demokracia dhe sundimi i ligjit. Në fund, stabiliteti është i kërcënuar nga autokratët populistë, që kërkojnë strehim nga dështimet e tyre në aventurat ultra-nacionaliste”, tha ai.

Sipas tij, sulmi terrorist në Banjskë ende nuk është zbardhur, ndërsa Serbia refuzon të ekzekutojë urdhrin e Interpolit për Milan Radoicic.

“Nëse Serbia nuk ka asgjë për të fshehur, pse e mbron atë?

Serbia vazhdon të sabotojë dhe të kërcënojë sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë e Mal të Zi, me një strategji të mbështetur nga Moska, që synon të stimulojë konfliktin në Ballkanin Perëndimor, për të devijuar vëmendjen nga lufta e saj e paligjshme e pushtimit kundër Ukrainës.

Një hetim ndërkombëtar i plotë në parregullësitë e zgjedhjeve serbe dhe mbrojtja e standardeve zgjedhore, gjithashtu në vende të tjera në Ballkanin Perëndimor që përballen me çështje zgjedhore dhe mungesën e sundimit të ligjit, janë imperative.

Pa zgjedhje demokratike dhe sundim të ligjit, nuk ka siguri, nuk ka stabilitet, nuk ka mirëqenie, as ëndërr europiane për popujt e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë