Nga Gazeta Si- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme konferencën e radhës me gazetarët ku është pyetur se çfarë e bën atë të mendojë se mund të marrë drejtimin e vendit pas vitit 2025.
Duke iu përmendur se ai vetë ka qenë në disa poste të rëndësishme në ministri, në bashkinë e Tiranës, por edhe në krye të opozitës por edhe dështmieve të shumëta në zgjedhje, atij i është kërkuar se përse beson te fitorja.
Basha refuzoi të argumentonte gjatë, duke u përgjigjur vetëm “mendja dhe koshienca ime. Kjo është përgjigja”.
Basha komentoi edhe zhvillimet rreth Reformës Zgjedhore duke thënë se mbledhja fizike e Komisionit u pamundësua nga “teatri me regji të Edi Ramës”.
Ai u shpreh se debati këtë javë ka qenë “ik Enkelejd, hajde Oerd”, gjë që sipas tij nuk është në interes të publikut.
“Teatri me regji të Edi Ramës pamundësoi mbledhjen fizike të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Thirrja ime është të lihen alibitë e të mundësohet funksionimi normal i këtij komisioni. Duhet barazi vote. Kush merr më shumë vota të bëhet deputet. Votim e numërim elektronik dhe vota e diasporës. Debati këtë javë ka qenë ik Enkelejd, hajde Oerd. Kjo është në interes të atyre që nuk e duan këtë. Nuk mendohet për interesin publik. Nuk duhet të humbasim kohë me qurravitje për interesa të vogla. Të enjten u është bërë dëm qindra e mijëra familjeve shqiptare me votimin e 11 ligjeve përmes rrëmujës”, u shpreh ai.
“SPAK po targetohet nga qeveria”, Basha: Kush ka panik nga hetimet, Zoti ia shtoftë!
Basha u shpreh se duhet bërë gjithçka për të forcuar demokracinë dhe shtetin ligjor, ndërsa theksoi se SPAK si e vetmja hallkë që funksionon po sulmohet nga qeveria.
Sipas tij qeveria ka refuzuar të hedhë poshtë informacionin për përpjekjen për të kontrolluar SPAK-un.
Ai u pyet edhe në lidhje me ftesën e bërë nga Kreshnik Çollaku ndaj pjesës tjetër të opozitës për të dalë me propozime të përbashkëta për Reformën Zgjedhore. Basha tha se nuk është kundër, por nënvizoi se katër propozimet publike të PD për reformën janë të panegociueshme.
“Nëse dikush thotë s’jam për lista të hapura, ne do i themi qofsh me shëndet se s’je në rrugën tonë. Katër qëndrimet tona janë qëndrime publike, ne i mbështesim ato. Nëse dikush thotë nuk janë për lista të hapura, ne jemi për lista të hapura. Më akuzojnë që kam qenë kundër, këto janë truke të vjetra. Janë gënjeshtra. Mua më ra goja për listat e hapura. Nëse dikush thotë nuk jemi për listat e hapura, është pozicionuar kundër qëndrimit tonë. Ne do të bëjmë gjithçka për listat e hapura. Kush ka frikë nga listat e hapura, është qëndrimi i tij, nuk është qëndrimi jonë. Kaq e thjeshtë është”.
Kryetari i Partisë Demokratike, thotë se kaosi i krijuar nga grupimi i deputetëve të Gazment Bardhit dhe Sali Berishës, ka bërë që ligjet e qeverisë të kalojnë pa transparencë. Nëpër ekrane sipas Bashës, ka thjeshtë bllokime dhe nuk dëgjohet asgjë.
‘”Opozita ka fuqinë morale të bëjë të transparencë para publikut. Kjo që po bëjnë është zerimi i aftësisë të opozitës të ngrejë zërin, shohim që e vetmja gjë që ka sjellë është se këto ligje kalojnë pa transparencë, pa debat, pa llogaridhënie. Para është një farë koperture që i jepet qeverisë. E vetmja që shihet në ekran janë bllokime, por nuk dëgjohet asgjë”, tha Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje