Derbi është shumë i rëndësishëm dhe Partizanit i duhet të jetë në maksimumin e tij, aq më tepër që vjen nga një humbje. Skuadra ka nevojë për të gjithë futbollistët, mbi të gjithë për kapitenin, por trajneri Skënder Gega nuk bën kompromis dhe ka vendosur ta lërë jashtë Alban Hoxhën, i cili qëndroi dy ditë në qeli, pasi u arrestua për drejtim automjeti në gjendje të dehur.
Trajneri i të kuqve doli në konferencë shtypi bashkë me mbrojtësin Egzon Belica. Gega i preku të gjitha temat që kanë të bëjnë me skuadrën, por më shumë ka folur për çështjet e Hoxhës dhe Trashit, duke “dënuar” të parin dhe duke “mbrojtur” të dytin: “Po, gjërat nuk kanë funksionuar shumë mirë së fundi. Në raste të veçanta, ndonjë situatë e bërë mediatike na ka penguar deri diku në ecurinë tonë. Për mua si trajner, ka qenë shqetësim dëmtimi i Albanit, sepse është hera e dytë që nuk luan. Për derbin e doja në 100% të formës fizike, sepse është kapiten i ekipit, por fatkeqësisht gjërat kanë ndodhur. Si qytetarë, duhet t’i shohim gjërat më gjerë. Normalisht, secili nga ne e ka tejkaluar në një moment të veçantë me një gotë, por si sportist nuk mendoj se është me vend kjo gjë. Albani nuk besoj se do të luajë në derbi. Çdokush duhet të jetë i barabartë para ligjit, si qytetar, trajner a lojtar. Mungesa e Hoxhës në stërvitje për kaq kohë, gjendja e tij fizike, nuk i japin mundësi të jetë në derbi.
Partizani është klub i madh, e di jashtëzakonisht mirë sa vlen ky klub dhe të gjithë duhet ta kuptojnë rëndësinë. Qoftë edhe pa mua, apo pa Gaz Demin në tribunë, Partizani duhet të jetë gati për derbin, që do të thotë shumë për ne”, – u shpreh Gega për Hoxhën.

Çështjen e Trashit ai e interpretoi në këtë mënyrë: “Njerëzit janë të ndryshëm, kanë temperamentin e tyre. Trashi gjatë ndeshjes në Vlorë ishte shumë korrekt, ishte një shembull. Por në 90 minuta lojë, nëse je në një ambient të mbyllur dhe 2-3 vetë kalojnë kohën duke të sharë, përdorin një fjalor jo normal për vende normale, besoj se të shqetëson. Çdo gjë ndodhi pas ndeshjes, pas ndarjes me kundërshtarin. Nuk ka të bëjë me shiritin e kapitenit. Kemi një grup lojtarësh, që kanë kontribut të jashtëzakonshëm dhe kanë temperament të ndryshëm. Shiriti është i rëndë për disa lojtarë dhe paraqitja e Trashit në fushë tregoi se ai nuk e ka mendjen te shiriti. E di çfarë presioni krijohet kur një lojtar shahet 90 minuta pa pushim, duke qenë në fushë për punën e vet”.

Pavarësisht kësaj situate, trajneri Gega është shprehur optimist për fitimin e derbit të së premtes me Tiranën: “Do të hyjmë në këtë ndeshje me “armët” që kemi. Partizani është familje e madhe, është i kompletuar. Mungesat mund të ndodhin për shkaqe të ndryshme, për dëmtime dhe kartonë. E rëndësishme është që ekipi është gati dhe i motivuar, kështu që do të bëjmë të pamundurën të japim spektakël në fushë,atë që presin tifozët”, – përfundoi Gega.
Derbi Partizani-Tirana luhet ditën e premte, në orën 18:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Partizani mban vendin e parë, me 31 pikë, kurse Tirana qëndron shumë prapa, me 11 pikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje