Politike

Argita Malltezi në krye të PD? Agron Gjekmarkaj: Kundër trashëgimisë politike, edhe po fitoi me garë, s’do ishte etike. E djathta ka potenciale emrash

Me Sali Berishën në ‘arrest shtëpie’ dhe me një të ardhme të tij që më shumë do e ketë të lidhur me drejtësinë se politikën, në grupin parlamentar të PD-së kanë filluar komentet e para se a ka kapacitete e djathta për të nxjerrë një tjetër emër në drejtim ku paralelisht po diskutohet jo pak edhe dalja e Argita Malltezit.

Agron Gjekmarkaj futet tek ata politikanë të së djathtës që nuk aspiron drejtimin, ndaj dhe jep një gjykim të ftohtë kur pyetet për këtë çështje.

“Berisha po përballet me një proces gjyqësor ku ka shumë konotacione politike. Tani është çështje e largpamësisë së tij sesi do të sillet në raport me demokratët dhe Partinë Demokratike.

Unë mendoj se Partia Demokratike ka potenciale lidershipi, qoftë te një njeri që vjen nga provincat apo ata që janë në qendër, njerëz të profesionit apo intelektualë.

Nuk ka mbetur Shqipëria pa njerëz që i dalin për zot opozitës apo të djathtës. Loja e emrave nuk na çon askund.

Unë nuk kam ambicie. Nuk e ndjej. Mendoj se jam më i dobishëm në pozicionin e njeriut që flet e shkruan. Më mungojnë disa të dhëna. Duke qenë një njeri modest, mbetem brenda gjërave që t’i të bëj dhe jam i sigurt në to”, tha Gjekmarkaj i ftuar në emisionin “Debat” në A2CNN

“Sa i përket përmendjes së emrit të Argita Malltezit, mendoj se edhe kjo është një histori tjetër klikimesh. Në filmin ‘Hije që mbeten pas’ i kërkohet djalit të dënojë të atin. Fakti që zonja Malltezi mbron të atin, mua më duket gjëja më njerëzore në botë dhe mendoj se bën gjënë e duhur që është në krah të të atit

Gjithsesi, unë jam kundër trashëgimisë politike. Ajo vërtet mund të hyjë në garë dhe ta fitojë atë garë sepse ka mbiemrin Berisha, por nga pikëpamja etike nuk do të ishte gjëja e duhur për PD-në”, tha Gjekmarkaj


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë