Politike

Analiza e Neritan Sejaminit, si të lexojmë vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit

Nga Gazeta ‘SI’ – I njohur për qëndrimet e tij të drejtpërdrejta,  kur analizon realitetin shqiptar, kritik me gjithçka dhe këdo që nuk ka një sjellje demokratike, inteligjente dhe me integritet në politikë, Neritan Sejamini nuk është treguar i kursyer as me Sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken.

Në një intervistë për Gazetasi.al, ai flet pa doreza për mesazhet dhe qendrimet e përcjella gjatë vizitës së kreut të diplomacisë amerikane, për marrëdhëniet me qeverinë, me opozitën, mesazhet për drejtësinë dhe Kosovën. Si dikush që është shkolluar në SHBA dhe me njohuri shumë të mira për mënyrën e politikëbërjes në SHBA, gjatë intervistës, zoti Sejamini bën të qartë se asgjë nuk e është e pandryshueshme në qendrimet amerikane kundrejt politikanëve, pavarësisht lëvdatave, si në rastin e kryeministrit Rama. “Fjalët dhe komplimentat diplomatike nuk duhen analizuar as si pohime shkencore dhe as si përfundime historike. Nesër amerikanët mund të kenë mendim tjetër për zotin Rama dhe këdo.”- thotë Neritan Sejamini. 

Gazeta Si: Zoti Sejamini, çfarë domethënie kishte vizita e Sekretarit Blinken në Tiranë? Ju dha përshtypjen se nuk pati ndonjë gjë aq të jashtëzakonshme sa u trumbetua?

Neritan Sejamini: Ishte një vizitë që besoj kishte dy qëllime: së pari, shprehjen publike të vlerësimit për ndihmën dhe kontributin që Shqipëria i ka dhënë SHBA-ve për çështje me rëndësi të politikës së jashtme dhe ndërkombëtare dhe, së dyti, të ripohonte rolin e Shqipërisë si vend me rëndësi për stabilitetin dhe paqen në Ballkan.

Gazeta Si: Ndryshe nga vizitat e sekretarëve të tjerë të Shtetit, zoti Blinken nuk bëri 2 gjëra këtë herë. Nuk takoi askënd nga opozita. Nuk mbajti fjalim në parlament. Çfarë mesazhi përcjell kjo axhendë? 

Neritan Sejamini, Gazeta ‘SI’, shkurt 2023

Neritan Sejamini: Kam përshtypjen se, ndonëjherë, ne i mendojmë vizitat e udhëheqësve të rëndësishëm perëndimorë si vizita historike, me domethënie kombëtare dhe rëndësi aftagjatë. Realiteti është se norma e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar janë vizitat, takimet, diskutimet. Prandaj vizita e Sekretarit Blinken është një vizitë normale, nga një politikan amerikan që zhvillon me qindra vizita dhe takime të tilla çdo vit. Nga ana tjetër, bisedimet dhe takimet mes vendeve zhvillohen kryesisht mes qeverive që janë ato që hartojnë dhe zbatojnë politikën e jashtme. Për këto arsye, nuk mendoj se kishte ndonjë arsye për të takuar opozitën, sikurse nuk kishte ndonjë arsye për ekzagjerimin e rëndësisë në nivele epike-folklorike, siç bëri qeveria Rama.

Gazeta Si: Kur u pyet nga gazetarët për mungesën  e takimeve me opozitën, ai tha se do ta bënte këtë, kur të vinte sërish dhe të qendronte për darkë. Cilën opozitë do të zgjedhë atëherë apo e konsideroni përgjigjen një mënyrë për të shmnagur një qendrim konfliktual?

Neritan Sejamini: Sikurse e thashë, nuk ka asnjë arsye dhe nuk është praktikë që ministrat e jashtëm të takojnë opozitat e vendve që vizitojnë. Partneri apo bashkëbiseduesi i tyre janë përherë qeveritë. Nga ana tjetër, qendrimi i administratës amerkane dhe Sekretarit Blinken për udhqëheqësin e opozitës është i njohur botërisht. Pyetja që iu bë Sekretarit për këtë çështje ishte qëllimisht “naïve” për ta ngasur atë të ripohonte këtë qendrim të tij ndaj zotit Berisha. Sektetari Blinken iu shmang përgjigjes direkte dhe zgjodhi që në Shqipëri të mos sulmonte apo krtikonte asnjë shqiptar, pavarësisht mendimit dhe qendrimit të tij të vërtetë.

Gazeta Si: Me kryeministrin Rama, sekretari Blinken nuk u tregua i kursyer në lëvdata. I njohu merita që nga koha e drejtimit të Tiranës dhe e cilësoi një udhëheqës të shkëlqyer dhe kryeministër shumë të mirë. I vlen kjo mbështetje kryeministrit dhe për çfarë, nëse po?

Neritan Sejamini: Zoti Rama ka qenë një partner i bindur dhe i dobishëm i qeverisë amerikane gjatë këtyre viteve, sikurse kanë qenë të gjithë udhëheqësit e Shqipërisë në vite. Zoti Rama është udhëheqësi i tanishëm i vendit dhe kjo i jep mundësinë të jetë ai që u ofron bashkëpunimin dhe ndihmën SHBA-ve për çështje të ndryshme. Për ne që përjetojmë keqqeverisjen, korrupsionin, mungesën e demokracisë, zoti Rama konsiderohet shkaktari i tyre, por për amerikanët ai ka qenë dhe është kapital i dobishëm në Ballkan dhe politikën e jashtme amerikane. Gjithsesi, fjalët dhe komplimentat diplomatike nuk duhen analizuar as si pohime shkencore dhe as si përfundime historike. Nesër amerikanët mund të kenë mendim tjetër për zotin Rama dhe këdo.

Gazeta Si: Takimi me drejtuesit kryesorë të institucioneve të reja të drejtësisë tregon qartë mbështetjen e SHBA për këto institucione. A kishte takimi si qëllim të japë mesazhin se drejtësia duhet të jetë e pavarur  nga qeveria, por jo e pavarur nga ndikimi amerikan?

Neritan Sejamini: Nuk mendoj se ishte veprim i duhur takimi me përfaqësuesit e drejtësisë. Drejtësia nuk duhet të ketë asnjë lidhje me poltikën. Ndërsa idea që kurajon dhe ndershëmrinë e këtyre njerëzve duhet ta garantojë Amerika më duket shumë problematike. Qëllimi i reformës ishte që këta njerëz ishin në vetvete me kurajë dhe integritet dhe që i binden vetëm ligjit, Kushtetutës dhe askujt tjetër.

Gazeta Si: Fjalori i Blinken për Kosovën ishte shumë më i zbutur sesa deklarimet e vartësit të tij, zv/ndihmës Sekretarit të Shtetit O Bryan, se Kosova po rrezikon partneritetin me SHBA. Pse kjo diferencë e madhe? 

Neritan Sejamini: Sekretari Blinken zgjodhi të mos kritikojë asnjë shqiptar nga Shqipëria, as edhe shqiptarët e Kosovës. Është një qendrim dinjitoz. Por nuk ka dyshim se ka vetëm një qendrim dhe politikë amerikane ndaj Kosovës. Vartësit e Sekretarit Blinken nuk kanë qendrime të ndryshme nga Sekretari Blinken.

Gazeta Si: Gjatë konferencës pati një qendrim shumë të moderuar të kryeministrit Rama për ish presidentin Donald Trump, kur u pyet për qendrimet e tij ndaj financimit të NATO-s. “Trump është Trump”- tha ai, gati duke e justifikuar dikë që më herët e ka quajtur turpi i njerëzimit. Po tregon kujdes Rama për të mos bërë të njëjtin gabim, në rast të rizgjedhjes së Donald Trump?

Neritan Sejamini: Besoj se kjo është pyetje retorike, sepse, natyrisht që po tregohet i kujdesshëm. Sidoqoftë, nuk ka asnjë grimcë rëndësie në asnjë drejtim se çfarë mendon Rama. Për më tepër, politikanët shqiptarë duhet të kuptojnë që të mos bëjnë komente për të udhëheqësit e vendeve të tjera. Interesi i Shqipërisë është që të ketë marrëdhënie të mira me çdo vend. Udhëheqësit tanë duhet dhe mund të frenojnë tundimin e protagonzimit provincial për të dhënë mendime vend e pa vend për politikën e madhe globale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë