Gazeta Si – Pa liderin e PD Sali Berisha, por me dyshen Bardhi-Noka të bashkuar pas përçarjes ka nisur rreth orës 18:00 protesta kombëtare e organizuar nga opozita në “Bulevardin Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
Protesta nisi me sirena alarmi përgjaatë gjithë bulevardit dhe thuajse në fund të saj, pas rreth dy orësh, nisën tensionet e para në shesh mes demonstruesve dhe forcave të policisë.
Flakadanë dhe tymuese u hodhën drejt godinës së kryeministrisë menjëherë pas fjalimit online nga arresti shtëpiak i ish-kryeministrit Berisha që u transmetua përmes një lidhje direkte.
Protestuesit kanë rrëzuar edhe gardhin metalik. Ndërkohë, forca të shtuara policore u vendosën përpara godinës së kryeministrisë.






Megjithatë, tensionet zgjatën për rreth 20 minuta dhe pas largimit të dyshes Noka-Bardhi, pushuan së hedhuri dhe lëndët piroteknike të protestuesve.
Me flamuj me simbolin e PD-së në duar, por edhe me pankarta ku shkruhej “Lironi liderin e opozitës”, “Vrasës i pluralizmit”, “Shqipërisë i dalim Zot”, “shërbëtorët e pushtetit, vrasësit e shtetit”, “Rama ik” dhe “Do e bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, qytetarët janë grumbulluar nga qytete të ndryshme të vendit.






Në protestë mbajtën fjalën e tyre deputetët e opozitës dhe gjithashtu edhe kryedemokrati Sali Berisha iu drejtua në një fjalim të gjatë qytetarëve nëpërmjet monitorit, ku nuk munguan akuzat ndaj qeverisë Rama.
Berisha tha se protesta e sotme është rikthim i opozitës që ka ngjallur besim tek qytetarët shqiptarë.
Krerët e strukturave të Rithemelimit dhe deputetët e bashkuar rishtazi kanë marshuar drejt kryeministrisë nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm, Flamur Noka dhe kreut të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka gjatë fjalës së tij në protestën e opozitës që mbahet ditën e sotme para Kryeministrisë u shpreh se sot Kryeministri, Edi Rama është personi i vetëm i palumtur dhe i trishtuar, pasi sipas tij nuk arriti të shkatërronte opozitën. Noka u shpreh se opozita është mbledhur për t’i treguar Ramës se opozita është në këmbë.






Nga sheshi i protestës së opozitës, Gazment Bardhi u shpreh se sot vendi ka një qeveri që punon për vete dhe jo për të drejtat e qytetarëve.
Ai shtoi se 1/4 e shqiptarëve jetojnë nën kufirin e varfërisë dhe se gati gjysma e popullsisë rrezikon të jetë e varfër, ndërsa ata që kanë një punë të mirë, po mbyten me taksa.
Nga podiumi deputeti i PD, Luçiano Boçi tha se po kërkohet ‘të burgosin Sali Berishën por ne nuk dorëzohemi’.






Protestës i mungoi kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, deputete Monika Kyemadhi, ndërsa u bojkotua nga PDIU e LZHK. As PD e Bashës nuk është pjesë e kauzës së kësaj proteste.
Ndërkohë i janë bashkuar protestës, Fatmir Mediu, Agron Duka, Isuf Çela, si dhe Luçiano Boçi, Belind Këlliçi.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku pavarësisht se më herët ka refuzuar të jetë pjesë e bashkimit mes Rithemelimit dhe deputetëve të grupit të Gazment Bardhit, ka zgjedhur të jetë e pranishme në protestën e mbrëmjes së sotme.
Nga ana e organizatorëve u tha se do të ishte një protestë paqësore, megjithatë për mbarëvajtjen e saj morën pjesë rreth 1 mijë e 100 efektivë të policisë në terren. Pas rreth dy orësh, gjithçka u mbyll pa probleme, pavarësisht nga incidentet në fund të protestës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje