Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se asnjë nga çështjet që po hetohet nga SPAK nuk do të jetë pjesë e përfituesve të Amnistisë Penale. Manja tha se nuk do të ketë falje as për krimet që lidhen me nderin dhe dinjitetin, apo dhunën në familje.
“Po ju sqaroj projektligjin që pritet të kalojë nesër në Kuvend për votim. Duhet të sqarojmë amnistinë nga dënimi apo mbi ndjekjen penale. Flitet për lëndë dhe çështje që janë në duart e prokurorisë, ose janë pa u gjykuar nga sistemi i drejtësisë. Nuk ka amnisti penale për asnjë nga veprat që po hetohet në SPAK. Duhet të jem i qartë. Amnisti mbi ndjekjen penale ka mbi veprat që janë në duart e prokurorisë dhe dënohen deri në 2 vite burg, për kundravatjen penale. Por ka dhe përjashtime. S’do të amnistohen veprat që kanë të bëjnë me nderin, apo dinjitetin dhe dhunën në familje apo mbi bazë gjinore. Amnistia ka disa parime mbi të cilat bazohet. Një nga parimet kryesore është parimi i mbrojtjes së interesit publik.”, tha Manja.
Ndërkohë Ministri i Brendshëm, Taulant Balla njoftoi pas mbledhjes së qeverisë se janë miratuar ndryshimet e propozuara për rolin e Prefektit, duke i dhënë atij më shumë kompetenca. Roli kryesor sipas Ballës, do jetë drejtimi i Këshillit të Sigurisë Publike me synimin për rritjen e sigurisë në komunitet.
Ndonëse në projektligjin e hartuar nga vetë qeveria Rama thuhet se Prefekti do të mund të propozojë dhe shkarkimin e kryetarit të Bashkisë, ministri Balla e mohoi.
“Ndryshimin në ligj do kemi mundësi që gjatë diskutimit në Kuvend, ta diskutojmë më gjerë këtë nismë ligjore. Dua të informoj publikun se kemi marrë referencë eksperiencat më të mira të funksion të rolit të Prefektit, besoj që pas miratimit të ligjit do kemi një institucion prefekti shumë efektiv në procesin e ndërlidhjes mes qeverinë qendrore dhe vendore. Ka qenë një informacion i rremë lidhur me këtë qasje. Qeveria ka të drejtën e rasteve të propozimit të shkarkimit. Në ligj përcaktohet qartë dhe vendimin përfundimtar e jep Kushtetuesja. Nuk është e vërtetë”, u shpreh ministri i Brendshëm.
Balla tha se nuk krijojnë përplasje të kompetencave të prefektit me kryetarin e bashkisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje