Nga Gazeta ‘Si’- Vetëm disa ditë më vonë nga dy vjetori i nisjes së agresionit rus në Kiev, Tirana po mirëpret për hërë të parë një samit dedikuar tërësisht Ukrainës.
Presidenti Volodymyr Zelensky i cili që prej fillimit të luftës ka qenë në ballë të përgjigjes ushtarake dhe diplomatike të Ukrainës ndaj pushtimit të Rusisë, po e zhvillon për herë të parë vizitën në Shqipëri në një sfond të vështirë zhvillimesh gjeopolitike.
Qindra mijëra të vdekur llogoreve, përparim i ngecur në fronin territorial dhe një luftë që tashmë është bërë pothuajse statike. Megjithatë, pavarësisht kësaj, Zelensky është angazhuar aktivisht të sigurojë ndihma për Ukrainën edhe në mes të një ‘lodhjeje politike’ nga Perëndimi për shkak të shtrirjes së gjatë në kohë të luftës.

Shqipëria ka qenë mes vendeve të para që ka mbështetur Ukrainën si me ndihmë financiare ashtu edhe me vendosjen e menjëhershme të sanksioneve ndaj Rusisë. Mbështetje, të cilën Zelensky e vlerësoi edhe disa ditë më parë në një mesazh në platformën “X”.
Në samitin e sotshëm (28 shkurt) pritet që të marrin pjesë edhe disa nga zyrtarët më të lartë të Brukselit, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Europës Juglindore. BE-ja që në krye të herës ka qenë e para që i ka ofruar Ukrainës mbështetje të pakushtëzuar.

Rasti i fundit, ishte vetëm pak ditë më parë kur presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se 27 anëtarët e bllokut europian kanë rënë dakord për paketën e re të ndihmës për Ukrainën në vlerë prej 50 miliardë eurosh.
Marrëveshja u arrit gjatë një samiti të udhëheqësve të Bashkimit Europian të mbajtur në Bruksel më 1 shkurt. Miratimi i paketës së ndihmës ishte vënë në pikëpyetje për shkak të kundërshtimeve paraprake të Hungarisë.
“Ndihma e vazhdueshme financiare e BE-së ndaj Ukrainës do të forcojë ekonominë në terma afatgjatë dhe stabilitetin financiar, të cilët nuk janë më pak të rëndësishëm se mbështetja ushtarake dhe presioni ndaj Rusisë përmes sanksioneve”, shkroi Michel në X.
Pas këtij vendimi të udhëheqësve të BE-së, Ukraina tha se pret që të pranojë pjesën e parë të ndihmës, në vlerë prej 4.5 miliardë eurosh, gjatë muajit të ardhshëm.
Duke shtuar shqetësimet e Kievit, një projektligj shtesë për shqetësimet që përfshin 61 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën është bllokuar nga Kongresi amerikan, mes kundërshtimeve të ligjvënësve republikanë.
Ukrainës iu dha statusi i kandidatit në qershor të vitit 2022. Megjithatë, Brukseli ka qenë i vendosur në qëndrimin e tij, se vendit do t’i duhet të zbatojë një gamë të gjerë reformash demokratike dhe ekonomike dhe të çrrënjosë korrupsionin nga institucionet përpara se të pranohet dhe se procesi i anëtarësimit mund të zgjasë shumë vite.
Gjeografia e shteteve ku ka udhëtuar Zelensky përveç Shqipërisë
Që prej fillimit të luftës në Ukrainë, Zelensky ka kryer një numër të lartë udhëtimesh zyrtare.
Udhëtimi i parë ndërkombëtar ishte ai në Washington në 21 dhjetor të vitit 2022 ndërsa i dyti në Poloni. Më pas ai vizitoi Mbretërinë e Bashkuar ku u takua me kryeministrin britanik Rishi Sunak, iu drejtua Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar dhe pati një takim me Mbretin Charles III.
Gjithashtu ai ka kryer edhe një sërë udhëtimesh të tjera në Poloni, Itali, Arabi Saudite, Moldavi, Bullgari, Turqi, Greqia, Lituania, Danimarka etj.
Udhëtimet e fundit zyrtare të Zelenskyt para se të vinte në Shqipëri ishin Gjermania dhe Franca ku u takua me kancelarin gjerman Olaf Scholz për të nënshkruar marrëveshje dypalëshe të sigurisë midis Gjermanisë dhe Ukrainës. Një marrëveshje të ngjashme ai nënshkroi edhe në Francë me presidentin francez Emmanuel Macron.
Paketë e 13-të me sanksione kundër Rusisë
Përpos samiteve ku ka ofruar ndihma të herëpashershme, Bashkimi Europian ka miratuar paketa të shumta me sanksione kundër Rusisë. Paketa e 13-të u aprovua me 21 shkurt dhe do të përfshijë afro 200 subjekte dhe individë.
“Me këtë paketë, ne po ndërmarrim më shumë veprime kundër subjekteve të përfshira në anashkalimin e sanksioneve dhe në sektorin e mbrojtjes dhe atë ushtarak”, shkroi shefi i politikes së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
‼️ Deal ‼️ EU Ambassadors just agreed in principle on a 13th package of sanctions in the framework of Russia's aggression against Ukraine.
— Belgian Presidency of the Council of the EU 2024 (@EU2024BE) February 21, 2024
This package is one of the broadest approved by the EU. It will undergo a written procedure and be formally approved for the 24 February.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje