Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, është pritur nga kreu i qeverisë, Edi Rama, ne kryeministri. Të dy zhvilluan një takim kokë më kokë në godinën e qeverisë.
Pak para mbërritjes në Kryeministri, Zelensky ka reaguar për vizitën e tij në Tiranë ku shprehej se kryeministri Rama ishte mik i palëkundur i Ukrainës.
Presidenti ukrainas theksoi se do të diskutojnë bashkëpunimin në mbrojtje dhe politike, mbështetjen për Formulën e Paqes dhe marrëveshjet e sigurisë.






“Sot punoj ne Tirane. Do të takoj mikun e palëkundur të Ukrainës, kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe do të marr pjesë në samitin Ukrainë-Evropa Juglindore. Në bisedimet tona dypalëshe me Kryeministrin dhe ekipin e tij, do të diskutojmë bashkëpunimin në mbrojtje dhe politik, mbështetjen për Formulën e Paqes dhe marrëveshjet e sigurisë. Shqipëria është një nga vendet që ka nënshkruar Deklaratën e Vilniusit të G7, të cilën ne e vlerësojmë shumë. Ne do të diskutojmë rrugën tonë të përbashkët drejt qëllimit euroatlantik në samitin Ukrainë-Evropë Juglindore, i cili tashmë po mbahet për herë të dytë. Unë do të propozoj mbështetjen e përpjekjeve të Ukrainës për të arritur paqen e drejtë dhe të qëndrueshme, si dhe organizimin e Samitit Global të Paqes në Zvicër. Do të zhvilloj edhe bisedime dypalëshe me pjesëmarrësit e samitit”, shkruan Zelensky.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga pritja që i bëri presidentit ukrainas në zyrën e tij në Kryeministri.
Pasi bënë një foto, Rama i tregoi Zelenskyt zyrën e tij dhe më pas i dha një dhuratë.
Dhurata e Ramës për Zelensky ishte një libër me mbishkrimin sipër ‘Edi Rama’, ku shfaqeshin në koopertinë dhe skicat e njohura të kryeministrit.
Me pas, Kryeministri Edi Rama dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, nënshkruan në ambientet e Kryeministrisë një marrëveshje bashkëpunimi, që sipas tyre, përforcon dhe promovon miqësinë mes Shqipërisë dhe Ukrainës.
Zbulohet axhenda
Sipas axhendës së publikuar, rreth orës 9:30 të dyja delegacionet do të kenë një takim bilateral, ndërsa rreth orës 10 është planifikuar firmosja e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Ukrainës.
Më pas rreth orës 11:30, kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të mbajnë fjalët hapëse të sesionit.
Ndërsa në orën 13:00 do të jetë edhe fotoja familjare e pjesëmarrësve. Samiti mbyll punimet në orën 13:30, në një konferencë të përbashkët Rama-Zelensky.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje