Në një kohë kur ka bisedime por jo rezultate konkrete për rikthimin e normalitetit në Kuvend që në thelb lidhen me dy kërkesa të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore dhe bashkëkryetarin tek reforma për zgjedhjet, kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, i ka dërguar një letër gjykatës Kushtetuese për përshpejtimin e shqyrtimit të ankimimit për ligjin e “Komisioneve Hetimore”.
Bardhi thotë, se ky ligj mbart interes të veçantë publik, pasi lidhet me kontrollin e Kuvendit ndaj ekzekutivit.
“Në kushtet kur ligji objekt shqyrtimi prek një prej të drejtave themelore që Kushtetuta e Shqipërisë i garanton deputetëve të pakicës parlamentare dhe një prej funksioneve themelore të Kuvendit, atë të kontrollit efektiv të qeverisjes, është e kuptueshme se kjo çështje mbart një interes të veçantë publik, dhe shqyrtimi i saj duhet të bëhet me përparësi, siç ka vepruar Gjykata edhe në precedentin e mëparshëm lidhur me kërkesën e 45 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për shfuqizimin e vendimit nr. 126/2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë”, të ndryshuar”. Shqyrtimi me përparësi i kësaj çështjeje duhet të marrë në konsideratë edhe faktin se kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimore, e cila ndodhet e depozituar tashmë në Kuvendin e Shqipërisë ashtu si edhe kërkesat e tjera në të ardhmen mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta nga aplikimi i Ligjit. Po ashtu, Gjykata duhet të konsiderojë faktin se legjislatura parlamentare aktuale është në vitin e saj të fundit dhe zgjatja në kohë e shqyrtimit të kësaj kërkesë dëmton drejtpërdrejtë hetimin parlamentar” – thuhet në shkresë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje