Ndarja nga jeta e ish-presidentit amerikan, George H.W. Bush është mjaft e ndjerë edhe në Shqipëri.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nëpërmjet një postimi në “Twitter” i ka shprehur ngushëllimet familjes Bush, pas ndarjes nga jeta të ish-Presidentit amerikan George.
Presidenti Meta shkruan se Bush ka qenë një mik i madh e i shtrenjtë i shqiptarëve.
“Jam thellësisht i pikëlluar për ndarjen nga jeta të Presidentit të 41-të të SHBA George H.W. Bush. Ai ishte një burrë i madh shteti dhe një mbështetës i fortë i lirisë. Jam pranë familjes së tij dhe lutem së bashku me ta. Ai ishte një mik i madh e i shtrenjtë i shqiptarëve. RIP”, shkruan Meta në “Twitter”.
Kryedemokrati Basha e cilëson një lajm të hidhur ndarjen nga jeta të ish-presidentit Bush. Basha shkruan se shqiptarët do t’i jenë përjetë mirënjohës për mbështetjen vendimtare për demokracinë në Shqipëri e Kosovë.
“Lajmi i hidhur ndarja nga jeta e ish Presidentit të SHBA George H.W. Bush. Shqiptarët do t’i jenë përjetë mirënjohës për mbështetjen vendimtare për demokracinë në Shqipëri dhe sigurinë në Kosovë. Mendimet e lutjet e mia janë me familjen Bush dhe popullin amerikan. U prehtë në paqe!”, shkruan kryedemokrati Basha.
Po ashtu, kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur i pikëlluar për vdekjen e presidentit të 41-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës George H.W. Bush.
Haradinaj, përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se Kosova sapo humbi një mik të madhe, SHBA-të një patriot të devotshëm. Ai shkruan se Bush gjithë jetën e tij ishte në shërbim të popullit amerikan dhe paqes në botë.
“Kosova sapo humbi një mik të madh e ShBA-të një patriot të devotshëm.
I pikëlluar për vdekjen e presidentit të 41-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H.W. Bush.
Bush gjithë jetën e tij e dedikoi në shërbim të popullit amerikan dhe paqes në botë.
Presidenti Bush do të mbahet në mend për denoncim direkt ndaj represionit dhe terrorit serb në Kosovë. Ai do të mbahet në mend për “mesazhin e Krishtlindjeve” drejtuar presidentit serb në vitin 1992, me të cilin vendos vijën e kuqe për luftë në Kosovë, duke e mbrojtur popullin tonë nga tendenca dhe kërcënimi për shfarosje nga regjimi i Millosheviçit në atë kohë”, shkruan Haradinaj në “Facebook”.
Ish-Presidenti i SHBA, Xhorxh H.W. Bush, ndërroi jetë në moshën 94-vjeçare në Houston. George Bush Sr, siç ishte i njohur, ishte presidenti i 41-të i SHBA midis 1989 dhe 1993, pasi shërbeu dy mandate si zëvendëspresident nën presidencën e Ronald Reagan.
Në prill, ai u shtrua në një njësi spitalore të kujdesit intensiv për shkak të një infeksioni, një javë pas vdekjes së gruas së tij, Barbara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje