Gjykata e Tiranës ka vlerësuar si të paligjshëm arrestimin e Kujtim Yllit, një prej protestuesve të Astirit. Lajmi është dhënë nga deputeti Klevis Balliu para gjykatës, ndërsa protestuesi ishte në sallën e gjyqit për vlerësimin e masës së sigurisë.
Kujtim Ylli është një nga banorët e zonës së Astirit, të cilët kundërshtojnë prishjen e banesave ku kalon “Unaza e Re”, pa marrë dëmshpërblim të plotë.
Ai u arrestua dy ditë më parë së bashku me Romeo Llullën nën akuzën e prishjes së pronës publike, pasi sipas tyre hoqi blloqet e betonit e vendosur nga firma private që ka fituar tenderin e Unazës së Madhe. Ylli u shoqërua me forcë nga ana e policisë.
Për Llullën gjykata vendosi masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.
Deputeti Balliu në prononcimin e shkurtër me gazetarët, e quajti akt të turpshëm të qeverisë, pasi kërkon t’iu bëjë presion banorëve nëpërmjet arrestimeve të paligjshme.
“Arrestimet dhe shoqërimet janë politike dhe masat që u ndërmorën ishin shpallja ose arrestim i paligjshëm për Kujtim Yllin sepse dukshëm arrestimi ishte thjesht politik për të ushtruar presion ndaj banorëve, të cilët bëjnë sot 28 ditë që po protestojnë. Është një akt i turpshëm i kësaj qeverie që kërkon t’iu bëjë presion këtyre banorëve me anë të shoqërimeve dhe arrestimeve të paligjshme siç e vendosi dhe gjykata për rastin e zotit Ylli. Patjetër që do lirohet”, deklaroi Balliu.
Po ashtu i bëri thirrje kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj që të heqin dorë nga ky projekt. “Dua t’u bëj thirrje të tërhiqen nga këto akte barbare që janë sulm jo vetëm ndaj protestës, por edhe sistemit demokratik që kanë vendosur këta qytetarë”, tha ndër të tjera deputeti demokrat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje