Lajme

Reporterët pa Kufij, Vokshi: Rama, përgjegjës për raportin

Kryetarja e Komisionit të Medias dhe Komunikimit, njëkohësisht dhe deputete e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, në një dalje për mediat nga selia blu e ka cilësuar tronditës raportin e “Reporterëve pa kufij”. Sipas saj, përgjegjës për cilësimin e Shqipërisë në raport, si vendin ku krimi i organizuar ka fuqinë e organizatave më të tmerrshme kriminale, është kreu i qeverisë, Edi Rama.

“Nën qeverisjen e Edi Ramës, Shqipëria ka krijuar imazhin e një vendi parajsë për trafikun e drogës, por kjo është hera e parë, që Shqipëria renditet në raportin e ‘Reporterëve pa kufij’ si një nga 5 vendet në botë me krim të organizuar shumë të rrezikshëm”, u shpreh deputetja Albana Vokshi.

Deputetja demokrate ndër të tjera tha se situata alarmante e krimit ka ndikuar drejtpërsëdrejti në lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve.

“Historitë e 3 gazetarëve shqiptarë: Klodiana Lala, Basir Çollaku dhe Alida Tota, kanë një të përbashkët. Gazetarët janë kërcënuar për shkak të denoncimeve që ata u kanë bërë lidhjeve të ngushta të krimit të organizuar me pushtetin, Jurgis Çyrbjen me Emiljano Shullazin, Saimir Tahirin me drogën e Habilajve, Erion Veliajn me mafien e plehrave”, tha më tej Vokshi.

Në fund, ajo thekson faktin që media vazhdon të jetë e censuruar dhe që demokracia është në dorën e krimit.     

“Si Kryetare e Komisionit për Çështjet e Medias, dua të shpreh shqetësimin që censura ende vazhdon, askush nga mediat kombëtare nuk publikoi këtë raport, ku flitej për historitë e punonjësve të tyre të kërcënuar nga mafia.

Sepse zyrat e censurës qeveritare i marrin urdhrat nga krimi i organizuar dhe mafia siç shprehet edhe në shqetësimin e ‘Reporterëve pa kufij’, nuk ndalet për të mposhtur gazetarët më kurajozë. Pa media të lirë, nuk ka shtet të së drejtës dhe demokracia është në dorën e krimit të organizuar!”, përfundoi deputetja Vokshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë