Politike

‘Ligjet’ kalojnë draftit për Forcat e Armatosura, Mediu pro: Ndihmon në këtë situatë! Bardhi: Kriteri për karrierë në FA, korrupsioni

Nga Gazeta Si- Komisioni i ligjeve ka miratuar në parim ligjin për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura, ku parashikohet zgjatja me 3 vite e kufirit maksimal e pranimit për ushtarët e rinj, nga 27 në 30 vjeç dhe dhënie e gradave jashtë radhe për ushtarakët që kanë një performancë të mirë.

13 deputetë votuan pro, nga të cilët edhe Fatmir Mediu, ish ministri i mbrojtjes dhe 3 vota ishin kundër.

Para se të votohej projektligji, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi tha se nuk e do e votonte pasi sipas tij, i vetmi kriter për të bërë karrierë është korrupsioni.

“I vetmi kriter për karrierë ne Forcat e Armatosura, ka qene vetëm firmosja e ndonjë prone për oligarkët. E kemi parë ca ka ndodhur, gradat dhe pozicionet i kanë marr ata që kanë firmosur prona, i keni bere gjeneralë e ndonjë prej tyre e keni çuar edhe në presidencë. Pra, ky  ligj vetëm për këtë bëhet. Ne nuk mund të rrimë pa shprehur shqetësimin kur shikojmë se në zonat e forcave të armatosura mbillen sipërfaqe të tëra me lëndë narkotike”, tha Bardhi.

Përgjigjen nga socialistët Bardhit ia ktheu deputeti Xhemal Qefalia.

“Për të ardhur keq vendimi për të mos votuar një ligj të tillë. Jemi në një situatë ku shumë vende po ndryshojnë kuadrin ligjor. Për çështjet e sigurisë kombëtare ky komision do të duhet të ishte bashkë. Mos paragjykojmë çdo gjë që vjen nga mazhoranca. Pse duhet ta politizoni. Ky është një ligj i rëndësishëm për sigurinë kombëtare”, tha Qefalia.

Votën e tij pro ligjit, kreu i Partisë Republikane, Mediu e argumentoi me nevojën për ndryshime.

“Jam dakord se është një ligj teknik dhe e ndihmon Ushtrinë në situatën ku ndodhemi. Rritja e moshës nuk i plak Forcat e Armatosura. Unë kam vetëm një kërkesë në drejtim të Ministrisë dhe Forcave të Armatosura: Sa më pak subjektivitet të ketë në promovim jashtë radhe. Lë hapësira për abuzim. Unë nuk shikoj asgjë politike në këtë projektligj, e votoj se shikoj në mbështetje të Forcave të Armatosura”, tha Mediu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë