Politike

Dosja ‘5D’, mollë dhe molotov drejt bashkisë / Opozita kërkon mbledhje urgjente të Këshillit dhe auditim (Foto dhe Video)

Nga Gazeta Si- Ka përfunduar pas një ore e gjysmë protesta e dytë e opozitës para Bashkisë së Tiranës.

Pas protestës së një jave më para, qytetarët kanë protestuar përsëri para Bashkisë Tiranë në lidhje me dosjen 5D, ku u arrestuan drejtorë të Bashkisë.

Qytetarët kanë hedhur mollë dhe tymuese në drejtim të godinës. Pas hedhjes së molotovëve, janë shkaktuar flakë gjigante para Bashkisë së Tiranës.

Situata ka precipituar, ku protestuesit janë përplasur me policinë. Ndërkohë, ata kanë tentuar që të shkallmojnë gardhin metalik si dhe kanë tentuar të heqin kapelet e policëve, duke u thënë “hiqini kapelet dhe bashkojuni protestës”.

Nën masa të rrepta sigurie, këshilltarët bashkiak të opozitës kanë mundur të shkojnë tek dera e Bashkisë, ku kanë kërkuar të dorëzojnë kërkesën për një mbledhje urgjente të këshillit bashkiak, por nuk janë lejuar nga policia që të kalojnë.

“Pra, Policia e Shtetit është në shërbim të një banditi si Erion Veliaj. Në vend që të hapë dyert për këshilltarët bashkiakë, që kanë marrë votat nga qytetarët shqiptarë për të kërkuar llogari deri më një, Policia e Shtetit vihet në shërbim të korrupsionit dhe të krimit”, tha Ilda Zhulali, këshilltare e opozitës, duke shtuar se edhe njëherë kërkojnë mbledhjen urgjente të Këshillit Bashkiak.

“Veliaj e ka detyrë ligjore të japë llogari para Këshillit Bashkiak dhe e dyta të bëjë raportim financiar të hollësishëm se çfarë ka bërë me paratë e bashkisë Tiranë që janë miratuar nga Këshilli Bashkiak”.

Përpos kërkesës për mbledhje urgjente, këshilltarët e opozitës kërkojnë edhe një auditim të jashtëm të bashkisë, me auditues profesionistë që të shikohet mënyra se si janë shpenzuar paratë e taksapaguesve të Tiranës për gjatë gjithë kohës që ka qeverisur Erion Veliaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë