Lajme

“Unaza e Madhe”, banorët e Shkozës në protestë

Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit sot ka nisur aksionin për prishjen e objekteve në Shkozë, për ndërtimin e Unazës së Madhe. Banorët e Shkozës të revoltuar, janë ngritur në protestë, pasi akuzojnë se planifikimi i shembjes së shtëpive ka sjellë devijimin e projektit nga gjurma e vjetër.

“Kemi dalë këtu për të drejtat tona. Kemi një problem shumë të madh. Te ne vijnë pa asnjë njoftim për të prishur shtëpinë. Këta duhet të na kishin sjellë në mënyrë zyrtare letrat për prishjen e objekteve. Ne kërkojmë që të spostohet, sepse gjynah të prishen këto shtëpi. Projekti ka ndryshuar disa herë. Ne nuk duam konfrontim me asnjë. Pse duan të na bëjnë të keq pa qenë. Ne duam shpronësim ose devijim të projektit”, u shpreh njëri prej banorëve.

Pas protestës së banorëve të Shkozës ditën e sotme, ka reaguar Inspektoriati Kombëtari Mbrojtjes së Territorit.

Përmes një njoftimi zyrtar, IKMT  sqaron se shembjet e të paktën 16 objekteve të planifikuara, në këtë zonë janë të bazuara në ligj. Në reagim, ky institucion shton  se banorët e prekur nga ky aksion do të trajtohen me bonus qiraje nga Bashkia e Tiranës.

“Nisur nga interesi publik, në sqarim të banorëve dhe në zbatim të ligjit, lidhur me shembjet e disa objekteve në zonën e Shkozës, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), risqaron se: 1) IKMT ka planifikuar shembjen e 16 objekteve me funksione të ndryshme 1,2 dhe tre kate+nëntokë. Kjo në kuadër të projektit ‘Unaza Lindore’ Tiranë, Lot 3 (Shkozë).

2) Veprimet e IKMT janë bazuar në ligj dhe kanë nisur pas vendimeve për përjashtim nga legalizimi të këtyre objekteve si dhe pas trajtimit me bonus qiraje nga Bashkia e Tiranës, të familjeve. 3) Objektet janë boshatisur vetë nga poseduesit e tyre dhe janë gati për shembje nga IKMT. Deri tani janë shembur katër objekte”, thuhet në njoftimin e IKMT-së.         

Më 26 nëntor, IKMT nisi aksionin për shembjen e banesave në Shkozë. Nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare në “Facebook”, IKMT njoftoi se në kuadër të projektit të “Unazës së Madhe” do të shemben 16 objekte me madhësi të ndryshme.

Ndërkohë që, projekti prek edhe 317 banesa në zonën e “Astirit”, të cilët janë ngritur në protestë prej 30 ditësh. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë