Lajme

Unaza e Re, deputetët e LSI i kërkojnë llogari Gjiknurit e Veliajt

Deputetët e LSI-së të qarkut Tiranë u kanë dërguar një letër institucioneve për çështjen e banorëve të Astirit, të cilët po protestojnë ditë pas dite për shembjen e banesave të tyre.

Letra i është drejtuar ministrit të Energjisë Damian Gjiknuri, Drejtorit të ARRSH-së Afrim Qendro, Drejtorit të ALUIZNI-t Artan Lame, Kryeregjistruesit Valdrin Pjetri dhe Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Letra është firmosur nga deputetët e LSI-së së Qarkut Tiranë, Endrit Braimllari, Kejdi Mehmetaj, Floida Kërpaçi.

LETRA

KUVENDI

GRUPI PARLAMENTAR I LËVIZJES SOCIALISTE PËR INTEGRIM

Nr._______ prot. Tiranë, më __.__.2018

Lënda: Kërkesë

Drejtuar: Z. Damian Gjiknuri – MINISTRIA E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË

Z. Afrim Qëndro- DREJTOR I PËRGJITHSHËM AUTORITETI RRUGOR SHQIPTAR

Z. Artan Lame- DREJTOR I PËRGJITHSHËM AGJENCIA E LEGALIZIMIT DHE URBANIZIMIT

Z.Valdrin Pjetri – KRYEREGJISTRUES ZYRA QËNDRORE E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME

Z. Erion Veliaj – KRYETAR I BASHKISË BASHKIA TIRANË

Si deputetë përfaqësues të qarkut Tiranë prej më shumë se 28 ditësh kemi ndjekur nga afër situatën e krijuar me banorët e Unazës së Re lidhur me prishjen e godinave që preken nga zgjerimi i segmentit rrugor në zonën e Astirit dhe pjesën tjetër të Unazës së Madhe të Tiranës. Banorët janë thellësisht të shqetësuar mbi fatin e pronës së tyre private dhe përveç konfrontimit në terren me punonjësit e institucioneve të ndryshme publike shprehen se nuk kanë asnjë informacion zyrtar mbi prishjet apo shpronësimet. Duke marrë parasysh shqetësimin e lartë publik dhe numrin e madh të banorëve që preken nga projekti kërkojmë nga ana juaj informacion të detajuar për sa më poshtë.

– Kush e ka hartuar projektin përfundimtar të zgjerimit të segmentit rrugor në zonën e Astirit dhe gjithë pjesën e Unazës së Madhe të Tiranës? Kush e ka kërkuar hartimin e këtij projekti? A është miratuar projekti përfundimtar konform ligjeve të Republikës së Shqipërisë? Sa është vlera totale e projektit dhe a është bërë një studim fizibiliteti? Ju lutem të na vendosni në dispozicion projektin të shoqëruar me të gjithë detajet teknike.

– A janë zhvilluar konsulta publike përpara miratimit të projektit përfundimtar nga institucionet shtetërore përgjegjëse?

– Sa është numri i pronave private që janë përllogaritur të shemben për të bërë të mundur realizimin e këtij projekti? Sa është sipërfaqja totale e këtyre pronave?

– Sa prej këtyre pronave private janë të pajisura me çertifikatë pronësie dhe sa jo (ju lutem të na vini në dijeni numrin e objekteve shoqëruar me sipërfaqen totale të tyre). Sa prej objekteve janë në proces legalizimi?

– A ka filluar procesi i shpronësimit për objektet e pajisura me çertifikatë pronësie? A është miratuar procesi i shpronësimit për objektet e pajisura me çertifikatë pronësie? A është miratuar VKM dhe VKB përkatëse? Sa është fondi i planifikuar për këtë qëllim?

–  Si janë trajtuar nga Aluizni ndërtesat që preken nga ndërtimi i kësaj vepre? A janë vlerësuar apo trajtuar me ndonjë akt shkresor përjashtimi apo kualifikimi objektet në proces legalizimi, sipas ligjit?

Ju lutem na vini në dispozicion të gjithë procedurat e ndjekura deri në procedurën e prokurimit publik. Gjithashtu, informacionin zyrtar të shkëmbyer ndërmjet ARRSH-së dhe Aluiznit lidhur me këtë projekt. Përgjigjen tuaj kërkojmë që ta shoqëroni me dokumenta zyrtarë.

Duke ju falënderuar për mirëkuptimin,

DEPUTETËT

Endrit Braimllari

Kejdi Mehmetaj

Floida Kërpaçi


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë