Futboll

Luftëtari në udhëkryq, rrezikon të shkrihet në janar

Financat kanë qenë gjithmonë një problem në futbollin shqiptar, edhe në nivelin më të lartë të tij. Futbollistët jo gjithmonë likuidohen nga klubi për atë çfarë kanë firmosur dhe shpesh i drejtohen FSHF-së për të zgjidhur problemet. Po e vuajnë aktualisht këtë situatë futbollistët e Luftëtarit, të cilët po mendojnë seriozisht largimin nga Gjirokastra në janar. Burime pranë këtyre futbollistëve bëjnë me dije për “Gazeta Si” se ata kanë muaj pa u paguar dhe nuk mund të vazhdojnë më kështu, prandaj i janë drejtuar FSHF-së për prishjen e kontratës me Luftëtarin.

Por më e keqja është se Luftëtari është vërtet në një moment kritik, aq sa në pikëpyetje është edhe vazhdimi i kampionatit. Futbollistët e tij janë të gjithë “jabanxhinj” dhe mund të mbeten shumë shpejt edhe pa strehë dhe pa ushqim. Pronarët e shtëpive ku ata janë akomoduar, si dhe pronarët e restoranteve ku ata ushqehen, janë gati t’u mbyllin derën, sepse klubi nuk i ka shlyer detyrimet e mëparshme. Luftëtari funksionon si shoqëri aksionere, ku 25% të aksioneve i ka bashkia dhe 75% të tjera aksionerët Vangjel dhe Grigor Tavo e Bekim Halilaj.    

Këta të fundit nuk janë bërë të gjallë për të shlyer detyrimet financiare ndaj futbollistëve dhe tashmë duket se situata ka arritur në një pikë kulmore. Çështja po shkon në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF, ku futbollistët e Luftëtarit do të fitonin të drejtën për prishje të njëanshme të kontratës, ngaqë kanë muaj pa u paguar. Ndoshta ndonjë lëvizje e shpejtë e drejtuesve të klubit gjirokastrit do ta përmbyste situatën, por për momentin Luftëtari është në një udhëkryq të rrezikshëm. Në janar ky ekip mund të përfundojë në kampionat me të rinjtë, pasi nuk do të ketë mbetur asnjë nga futbollistët aktualë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë