Futboll

Gega flet hapur: Duan të na pengojnë, të paktën të na lënë tifozët!

Partizani kryesues ka përpara transfertën e vështirë me Teutën, që është rritur shumë javët e fundit, duke u futur në grupin e pretendentëve për titull. Trajneri i të kuqve, Skënder Gega, ka folur në konferencë shtypi për këtë ndeshje, duke theksuar se Partizani shkon në Durrës vetëm për fitore:

“Me Teutën është një ndeshje si gjithë të tjerat, një ndeshje e fortë. Shkojmë vetëm për të fituar në Durrës. Për formacionin nuk kam vendosur, por do të ketë lëvizje të vogla. Hebaj do të jetë titullar, ndërsa për Malën do të shoh, pasi ai mund të adaptohet ngaqë ka luajtur mbrojtës në të kaluarën. Durrësi është afër dhe do të jemi si në shtëpinë tonë. Në këtë periudhë të parë të kampionatit kanë lëvizur shumë ekipet në renditje dhe nuk mund të thuhet cilët janë rivalët. Do të më kënaqte vetëm një gol, që do të na jepte 3 pikët. E vlerësojmë kundërshtarin për vlerat që ka, por duam të fitojmë. Nuk kam premtuar as fitore dhe as titull, por do të shohim vetëm nga ndeshja e radhës për të fituar”, – tha Gega.

Por vëmendjen më të madhe në konferencën e shtypit e ka marrë dënimi me një ndeshje pa tifozë i Partizanit nga Disiplina. Për herë të parë, trajneri Gega ka folur frikë të kundërshtarëve ndaj skuadrës së tij dhe përpjekje për ta penguar atë: “Do të më bëhej qejfi që çdo stadium të ishte i mbushur, pasi kështu nxitemi më shumë dhe kënaqemi. Nuk është punë presioni. E dua stadiumin plot edhe kundër nesh. Tifozët janë pjesa e jona e rëndësishme. Tifozët janë lojtari ynë i 12-të dhe me këtë jetë që është në Shqipëri, ata u japin bukuri stadiumeve. Në derbi tifozët u sollën shumë mirë dhe i dhanë atmosferë ndeshjes, edhe pse kundërshtarët nuk ishin. Shpresoj të ndryshojnë gjërat deri me Kukësin. Nuk është dhunë të përqafosh futbollistin. Dhunë është kur ndërpret ndeshjen dhe sulmon arbitrin ose futbollistët. Klubi e di si do të ankohet për të gjetur të drejtën. Kompania që ka marrë përsipër sigurinë e ndeshjes, duhet të jetë vigjilente, pasi është lehtë të hash fara.

Partizani feston me tifozët fitoren në derbi

Ju e shihni çfarë ndodh në stadiumet tona. Askush nuk na pyet, nëse kemi pasur ujë të ngrohtë apo të ftohtë pas ndeshjes. Askush nuk pyet çfarë rregullash ka 20 km larg Tiranës, autobusi nuk hyn dot në stadium dhe ne ecim në këmbë. Të paktën të mos na heqin tifozët. Nuk e dija që e kanë kaq frikë Partizanin. Nuk e dija që duan ta pengojnë ekipin tonë me çdo kusht. Kundërshtarët mundohen ta bëjnë këtë gjë. Po dënohemi çdo ndeshje dhe kjo i përfshin të gjitha. Nuk duhet të merret profesionalizmi si dobësi. Po mundohemi të japim shembullin e mirë brenda dhe jashtë fushe, duam të japim një mesazh të mirë, por nëse kjo e shqetëson FSHF-në, nuk është problemi ynë, por i dikujt tjetër. Ne bëjmë punën tonë”.

Në fund trajneri Gega komentoi edhe çështjet e Hoxhës dhe Trashit: “Janë çështje të ndryshme. Rasti i Trashit ishte brenda klubit, kurse i Hoxhës jashtë fushe. Albani ishte në orët e pushimit dhe ndoshta e ka tepruar me “Corona”, por në fushë ishte ekselent. Nuk e di sa e ka tepruar, masën e marrin drejtuesit. Masa ishte për të hequr shiritin e kapitenit dhe për ta aktivizuar. Albani luajti shumë mirë dhe na ndihmoi, është një nga shtyllat e klubit ndër vite. Për mua është lider, ndërsa shiriti lëviz nga njëri lojtar te tjetri, nuk ka rëndësi. Askush nuk është perfekt, të gjithë gabojmë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë