Lajme

Bulqizë, 31-vjeçarja humb trinjakët në muajin e pestë të shtatzënisë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Bulqizë ku një grua ka humbur trinjakët në muajin e pestë të shtatzënisë. Mësohet se Enkeleda Rexhepi, 31 vjeç kishte shkuar nga fshatrat në spitalin e Bulqizës, por atje nuk ka pasur as mjekë gjinekolog dhe as sallë operacioni.
Ajo ka lindur para kohe njërin prej trinjakëve me asistencën e infermieres, por ka humbur dy të tjerët. Një gjinekolog me staf mjekësor ka shkuar nga Tirana me helikopter në Bulqizë, por me sa duket ka qenë vonë për fëmijët.
Mësohet se tri fëmijët nuk kanë mundur të mbijetojnë për shkak të komplikacioneve. Ndërkaq, gjendja e gruas është e qëndrueshme tani dhe për momentin jashtë rrezikut. Ajo ishte nga një zonë e thellë e Bulqizës dhe i është dashur që të ecë me kalë rreth një orë për të dalë në rrugën nacionale dhe me një makinë të rastit është transportuar në spitalin e qytetit. Sipas dëshmive të para, gruaja ka thënë se ka qenë duke kryer punë bujqësie të rënda deri kur i kanë nisur dhimbjet që është nisur në spital.

Pas kësaj ngjarjeje të rëndë në Bulqizë vjen edhe reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas ministrisë, për shkak të moshës së vogël të barrës (24 javë është e papajtueshme me jetën), trinjakët nuk kanë mundur të mbijetojnë, ndërsa nëna tashmë është jashtë rrezikut për jetën dhe në këto momente është nën kujdesin e mjekëve.
“Nëna e re është asistuar për lindjen e trinjakëve me moshë barre të parakohshme 24-javëshe.
31-vjeçarja është asistuar për lindjen e fëmijës së parë nga mjeku i përgjithshëm Fatos Hoxha dhe dy mami të maternitetit të Bulqizës.
Për shkak të komplikacioneve, menjëherë është njoftuar ekipi i urgjencës kombëtare mjekësore dhe është nisur nga Tirana një ekip i specializuar nga Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” me helikopterin e Urgjencës Kombëtare.
Brenda 20 minutash, helikopteri me ekipin e specializuar nga Tirana ka mbërritur në spitalin e Bulqizës. Mjekët e specializuar të maternitetit të Tiranës kanë asistuar dy lindjet e tjera dhe kanë shpëtuar nënën e re, e cila rrezikonte jetën.
Për shkak të moshës së vogël të barrës (24 javë është e papajtueshme me jetën), trinjakët nuk kanë mundur të mbijetojnë, ndërsa nëna tashmë është jashtë rrezikut për jetën dhe në këto momente është nën kujdesin e mjekëve”, ka deklaruar Ministria e Shëndetësisë.
Ndërkohë deputeti i PD dhe ish ministri shëndetësisë, Tritan Shehu ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në Ostren të Bulqizës. Ai thekson se ngjarja tragjike e Bulqizës është një tregues i gjendjes Afrikano-Qendrore ku ndodhet sistemi shëndetësor.
“Ngjarja tragjike e Bulqizë është një tregues i qartë i gjendjes Afrikano-Qendrore ku ndodhet sistemi ynë shëndetësor.
Kjo lidhet me kolapsin e kujdesit parësor, atij për nënën e fëmijën, edukimit shëndetësor, me moseksistencën e një shërbimi eficient nacional urgjence, me degradimin spitalor, me probleme organizative, me realitetin e mjekeve si “specie ne zhdukje, etj.
Pa asnjë dyshim kjo fatkeqësi nuk mund të kalojë në heshtje e duhet bërë shkas për të kuptuar gjendjen tonë të këtij sistemi mbas pesë vite ‘shëndetësi falas’”, shkruan deputeti Shehu në “Facebook”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë