Futboll

Sfida titulli dhe mbijetese, sot radha e Partizanit dhe Tiranës

Teuta-Partizani dhe Tirana-Kastrioti janë dy ndeshjet e sotme të javës së 16-të të Superiores. Afrimi i Kukësit, pas fitores me Skënderbeun, e bën Partizanin që të luftojë më fort për të marrë pikë në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Pritet një ndeshje shumë e fortë, pasi Teuta është skuadra e momentit. Durrsakët vijnë pas fitores në Korçë dhe një trepikësh i mundshëm ndaj të kuqve, do t’u jepte atyre vendin e dytë.

Trajneri Bledi Shkëmbi ka mungesa të rëndësishme sot. Ai nuk ka të gatshëm sulmuesin Gerhard Progni, mesfushorin Fabian Beqja dhe mbrojtësin Ditmar Bicaj, por sërish ka shpresë se mund t’ia dalë për të marrë rezultat pozitiv përballë kryeseve të kampionatit. Drejtuesit e Teutës kanë bërë thirrje për të pasur sa më shumë tifozë në stadium, për të mbështetur skuadrën në këtë sfidë. Partizani vjen me një skuadër më të plotë dhe me entuziazmin e fitores në derbi. Trajneri Gega ka bërë të ditur se do të aktivizojë titullar sulmuesin Rubin Hebaj, autorin e dy golave ndaj Tiranës. Për të kuqtë, edhe barazimi nuk është keq, duke qenë se bëhet fjalë për një transfertë të vështirë.

Nga ndeshja e fazës së parë mes Tiranës dhe Kastriotit

Në situatë krejtësisht të kundërt është Tirana, që luan për mbijetesë dhe ndeshja e sotme me Kastriotin ka marrë rëndësinë e një finaleje. Askush nuk e kishte menduar se do të shkonte puna deri këtu, por bardheblutë janë përfshirë nga një krizë e thellë, nga e cila nuk po arrijnë të dalin. Ndeshja e sotme është një mundësi e mirë për fitoren e parë të trajnerit Mema në krye të Tiranës. Java e 16-të e Superiores do të mbyllet me ndeshjet Flamurtari-Laçi dhe Kamza-Luftëtari, që luhen ditën e diel.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë