Futboll

Fundi i trishtë i Garrinçës, nga idhull në fantazmë

Fotografia e mëposhtme tregon më së miri jetën e atij që ishte më popullor se Pele në Brazil. Dy herë kampion bote, por jeta e tij degjeneroi nga alkooli dhe femrat. Kjo foto është shkrepur të dielën e 17 shkurtit 1980, në Rio de Zhaneiro, gjatë karnavaleve.

Garrinça në karnavalet e vitit 1980 në Rio de Zhaneiro

Sipër makinës, ku kërcehet samba është një burrë i ulur, i veshur me fanellën Brazilit, me geta dhe këpucë futbolli në këmbë. Sytë e tij shohin larg në horizont, në pafundësi, aty ku askush nga ata që janë rrotull nuk mund të shohë. Ai njeri është një hero, një kampion bote, një talent absolut, një ëndërr për fëmijët dhe baballarët e tyre, një simbol. Quhet Manuel Fransisko dos Santos, por të gjithë e njohin si Garrinça: mesfushori i djathtë më i mirë i të gjitha kohërave. Gjatë këtyre karnavaleve, gjendja e tij është e rëndë. Mëlçinë e ka copë dhe doktorët nuk i japin shpresë, mendimet i trazojnë shpirtin, këmbët nuk i përgjigjen më dhe miqtë, edhe ata më të ngushtët, i janë larguar. Lavdia është si djelli, nëse i afrohesh shumë, të djeg.

Askush nuk e di çfarë mendon Garrinça, ndërkohë që makina ecën dhe njerëzit e duartrokasin, edhe pse nuk e njohin, pasi është shpërfytyruar krejtësisht. Është 46 vjeç, por tregon dyfishin. Nuk ka buzëqeshje në fytyrën e tij, por vetëm malinkoni. Koha e triumfit është vetëm një kujtim. Në memorie ka imazhet e Botërorit të 1958-ës në Suedi, me atë dhe Pelenë që mahnisnin universin, pastaj titulli i 1962-shit në Kili, që praktikisht e fitoi i vetëm. Pelenë e saktuan dhe ai, Garrinça, mori Brazilin mbi shpatulla dhe e çoi te triumfi. Brazilianët e quajtën hero dhe ai ishte më popullor se Pele, mishëronte mitin e futbollit “bailado”, të fantazisë dhe fuqisë, të driblimit si akt çlirimi. “Alegria e popullit” e quanin dhe ai alegri shpërndante me shumicë. Para Botërorit të 1958-ës, një komision mjekësor i Federatës së Brazilit i bëri një test inteligjence. Garrinça mori minimumin e pikëve, 38 nga 100. “Nuk është i denjë për të marrë pjesë në kompeticion”, – shkruajtën mjekët në raport. Për fat, trajneri Vicente Feola nuk i dëgjoi mjekët dhe i besoi shumë.

Garrinça dhe Pele

Garrinça ishte nga një vend i vogël pranë pyllit. Nëna e ti ishte shtëpiake dhe babi i alkoolizuar, ndaj dhe ai ishte i detyruar të punonte në një fabrikë që fëmijë. Futbolli i dha shansin e artë. E kishtë njërën këmbë më të shkurtër se tjetrën, për shkak të poliomilitit që kishte kaluar dhe nga ky defekt ndërtoi karrierën e tij. Bënte vetëm një finte, gjithmonë të njëjtën, por në çdo rast kundërshtarët “i bindeshin” dhe ai vraponte i shpejtë si era në krah. Kontratën e parë me Botafogon ia siguroi Nilton Santos, mbrojtësi i majtë që për diturinë e tij futbollistike, ishte një enciklopedi. Gjatë një miqësoreje i takoi të markonte atë djalosh që dukej sikur kishte ardhur nga hëna dhe nuk kishte parë kurrë top me sy. Shkoi te presidenti dhe i tha: “ta blejmë menjëherë”.
Kështu nisi karriera e Garrinçës dhe Niltoni i madh, derisa kishte mundësi, e mbrojti nga gjithçka. Një ditë e pa të qante në dhomat e zhveshjes dhe e pyeti çfarë kishte. Garrinça i tregoi se kishte mbetur trokë, nuk kishte më asnjë qindarkë. Niltoni i dha një borxh dhe nëpërmjet një miku bankier, çdo muaj kontrollonte llogarinë e tij. Por Garrinça, i paparashikueshëm në fushë, ishte edhe më i paparashikueshëm në jetën e përditshme dhe edhe ato para i mbaroi shpejt. Alkoolin e pinte si ujë, femrat i ndërronte njëra pas tjetrës dhe festat nuk kishin fund.

Garrinça, kur luante me Brazilin

Karnavalet vazhdojnë, muzika është e lartë dhe gjithë Rio de Zhaneiro kërcen, ndërsa Garrinça është gjithmonë aty, me mendjen kushedi se ku. Ndoshta mendon për 14 fëmijët e tij, me të cilët nuk ka jetuar kurrë dhe ndoshta nuk e njohin. Ose ndoshta sheh sërish fytyrat dhe trupat e grave të shumta që ka pasur. Nair, Iraçi, një kamariere suedeze, një fotomodele dhe pastaj Elza, këngëtarja bukuroshe Elza Soares. Thuhet se që kur u lidh me të, në dhjetor të 1961-shit, Garrinça nuk ishte më i njëjti. “Luan keq, nuk driblon më, nuk stërvitet, mendon vetëm të shkojë në shtrat me të”, – bërtisnin tifozët. Elza ishte në shënjestër të sulmeve të tyre dhe pak rëndësi kishte se Brazili, me Garrinçën në krye, fitoi Botërorin e 1962-shit. Dhe ajo, mbi të gjitha, ishte kumbarja e Seleçaos. Por dashakeqësia e njerëzve nuk e dobësoi dashurinë mes tyre, përkundrazi, e bëri më të fortë. Një dashuri pasionante dhe e egër, sepse ishte mënyra e vetme që Garrinça njihte. Bënte të njëjtën gjë si kur luante futboll, ashtu edhe në jetë. Nuk kursehej kurrë, nuk thoshte kurrë “jo”, nuk tërhiqej kurrë prapa.

Dhe tani, në karnavalen më të trishtë, ai qëndron aty, besnik i personazhit që nuk është më, në pritje që dikush t’i thotë se festa ka mbatuar dhe që llogaria nuk është paguar. Më 20 janar të 1983-shit shleu çdo borxh, bëri edhe finten e fundit dhe i mbeti nostalgjisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë