Lajme

Ceremoni për Kaçifas në Bularat dhe patriotët kuqezi në Gjirokastër

Është mbyllur ceremonia përkujtimore e Konstandinos Kaçifas, një ceremoni që ka zgjatur rreth 90 minuta. Pas meshës në kishën e Bularatit dhe vizitës në varreza, rrethi i ngushtë familjar ka vijuar me drekën, ndërsa nuk ka pasur manifestime ashtu si në ceremoninë mortore. Ndërkohë ka pasur kthime masive të shtetasve grekë që kanë dashur të hyjnë në territorin shqiptar për të marrë pjesë në ceremoninë e të 40-ave të Kaçifas.


Zyrtarisht, policia konfirmon se janë kthyer pas rreth 100 shtetas grekë dhe 3 gazetarë. Një pjesë e tyre janë pjesë e listës së personave të shpallur “non grata” në Shqipëri, përfshi dhe 3 gazetarët grekë.

Tubimi i dytë u mbajt në qytetin e Gjirokastrës. Organizatorët e këtij të dytit, janë Tifozët Kuqezi dhe disa shoqata patriotike, që kishin kërkuar leje për zhvendosjen nga qendra muzeale e qytetit deri në hyrje të tij, në rrugën nacionale te “Ura e Lumit”. Me simbolet tona kombëtare, ata kanë kerkuar më shume dinjitet për shqiptarët dhe drejtësi për të gjithë ata që janë vrarë këto 28 vite në Greqi. 

Në drejtorinë e qarkut të Gjirokastrës kishin mbërritur forcat e Antiterrorit dhe ato të RENEA-s në gatishmëri për të ndërhyrë në rast se ekstremistë grekë hyjnë ilegalisht në vendin tonë për të marrë pjesë në homazhet për Kaçifas në Bularat.


Gjithashtu prej orëve të para të mëngjesit të së shtunës, në aksin rrugor Gjirokastër-Bularat, janë të pranishme forcat e policisë, të cilat po kontrollojnë mjetet e personat që hyjnë në fshat.


35-vjeçari Kacifas u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me RENEA-n më 28 tetor në Bularat të Gjirokastrës, gjatë festës së përvitshme në përkujtim të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin e Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë