Futboll

Ançeloti karikon Napolin: Le të vendosim qershinë mbi tortë!

Të tilla përvoja i ka përjetuar edhe më parë, si futbollist dhe si trajner. “Anfield” është një tjetër moment i rëndësishëm, që duhet jetuar me të njëjtin intensitet dhe bindje se gjithçka arrihet, nëse e ke vetë në dorë. Karlo Ançeloti e di mirë se Napoli i tij është në lartësinë e Liverpulit edhe kur nuk luan në “San Paolo”. Ai ka thënë në konferencë shtypi se kundërshtari është në një moment të mirë, por nuk ka asgjë më shumë se Napoli: “Nga ana taktike nuk e di çfarë do të bëjë Liverpuli, por di çfarë duhet të bëjmë ne për ta kaluar me sukses këtë ndeshje. Ndeshja e parë na ka dhënë besim dhe bindje për kualifikim. Nuk e di, nëse do të jemi në gjendje ta përsërisim atë ndeshje, por e dimë çfarë duhet bërë”, – ka theksuar trajneri italian.

Për çështjen e gjykimit, që u bë objekt bisede edhe nga kolegu i tij Klop, i cili kërkoi një arbitrim të drejtë, Ançeloti tha: “Skomina është një arbitër me shumë përvojë, kështu që është i besueshëm”. Më tej, “Don Karlo” ka folur për specifikën e kësaj ndeshjeje, duke u bërë edhe një apel të tijve: “Liverpuli është agresiv kur luan në “Anfield”. Duhet të luajmë me intensitet shumë të lartë për sa më shumë kohë të jetë e mundur. Nëse do të jemi inteligjentë në të dyja fazat e lojës, mbrojtje dhe sulm, do ta kalojmë turin. Është faza finale e një grupi, ku kemi luajtur ndeshje të mira, duke treguar personalitet dhe karakter. Është hapi i fundit dhe duhet seriozitet.

Ançeloti dhe Klop

Nuk është se pres këtë ndeshje për të ditur sa e fortë është skuadra ime. Ky grup lojtarësh ka bërë gjëra të jashtëzakonshme dhe sezoni ynë do të shkojë përpara, me apo pa Championsin. Stadiumi është fantastik, nga më të mirët në botë. Pasioni i tifozëve anglezë është i veçantë dhe të gjithë duan të luajnë në stadiume si ky. Do të kemi me vete 3000 tifozë dhe në botë do të jenë miliona njerëz që do të bëjnë tifo për Napolin. Do të laujmë edhe për ta. Vendoset kualifikimi dhe duhet të jemi të vetëdijshëm se kemi një avantazh: luajmë për dy rezultate. Tortën e kemi bërë, tani le t’i vendosim edhe qershinë sipër. Nuk duhet të interesohemi për ndeshjen e PSG-së në Beograd. Klop e di mirë se duhet të bëjë një ndeshje të madhe për të na mundur. Ai ka nevojë për zgjidhje taktike, ne jo”, – ka përfunduar Ançeloti.

Për formacionin ai u shpreh se nuk kishte vendosur ende, por mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj, mendohet ta nisë nga stoli, siç ka ndodhur në ndeshjet e fundit në Champions League.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë