Futboll

Vrasje, drogë dhe rrëmbim, 10 lojtarët e njohur që përfunduan në burg!

Një kuriozitet vërtet i rrallë! Edhe futbollistët – disa prej tyre shumë të famshëm, – kanë përfunduar pas hekurave. Po, idhujt e shumë tifozëve kudo në botë kanë katranosur gjithçka në jetën e tyre dhe kanë bërë burg, madje edhe për shumë kohë.   

Le t’i zbulojmë cilët janë këta lojtarë dhe për çfarë janë dënuar:

Romario
Emri i parë i listës është sulmuesi i njohur brazilian, Romario. Në vitin 2009 ai përfundoi në qeli për një natë fillimisht, pasi nuk kishte shlyer detyrimet ndaj ish-gruas, kurse më pas u dënua me 3 vjet e gjysmë burg nga Gjykata e Rio de Zhaneiros për mashtrim fiskal. Ai nuk deklaroi të ardhurat e sakta në vitet 1996 dhe 1997.

Breno
Një tjetër brazilian, Breno. Në vitin 2011, mbrojtësi i vuri zjarrin vilës që Bajerni i Mynihut i kishte vënë në dispozicion, pasi ishte nën efektin e alkoolit. U dënua me 3 vjet e 9 muaj burg, por doli pas 2 vitesh për sjellje të mirë. La burgun në vitin 2013 dhe në 2015-ën u kthye në fushë me San Paolon.

Bruno Fernandes
Mjaft të frikshme akuzat që çuan në burg Bruno Fernandes, ish-portierin e Flamengos. Në 2013-ën u dënua me 22 vite burg për vrasje, rrëmbim personi dhe fshehje kufome. Gjithçka lidhet me hetimet e vrasjes të së dashurës së tij, Eliza Samuidio. Gjatë hetimeve u zbulua se ajo ishte vrarë nga i dashuri i saj, i cili ishte munduar të fshihte çdo gjurmë.

Omar Ortiz
Ish-portieri meksikan, Omar Ortiz, përfundoi në telashe për shkak të lidhjeve të tij me “Cartello del Golfo”, organizatën kriminale të narkotrafikut dhe që rrëmbente biznesmenë shumë të pasur. Pasi u shpall fajtor, “macja”, siç ishte mbiquajtur, u dënua me 50 vite burg.

Rene Higuita
E kush nuk e njeh kolumbianin e famshëm Higuita… I famshëm për pritjet e tij spektakolare, Rene Higuita, në vitin 1993 ka bërë 7 muaj burg, pasi ishte përfshirë në rrëmbimin e vajzës së trafikantit të njohur të drogës, Karlos Molina. Higuita ishte thjesht ndërmjetës i baronit të drogës, Pablo Eskobar, i cili i ofroi para, por kjo gjë është konsideruar shkelje ligji, pasi është e ndaluar të përfitosh nga rrëmbimi i personit.

Mikele Padovano
Ish-lojtari i Napolit dhe Juventusit, Mikele Padovano, përfundoi në burg për shkak të një miqësie të rrezikshme, që me kalimin e kohës rezultoi të ishte kapo i një bande të trafikut të hashashit. Padovano bëri burg në vitin 2006. Pas disa ditësh në izolim, ai u transferua në Bergamo deri më 31 korrik. Shtatë muaj ishte në arrest shtëpie dhe 5 muaj të tjerë me detyrim firme, në pritje të procesit. Prokuroria kërkoi 24 vite burg për lojtarin, por në fund ai u dënua me 8 vite, 8 muaj dhe 15 ditë për bashkëpunim në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Edmundo
E pabesueshme, por e vërtetë. Edhe Edmundo ka qenë në burg. Në vitin 1999, ish-sulmuesi brazilian i Fiorentinës, u dënua me 4 vite e gjysmë burg, sepse u shpall fajtor për vdekjen e 3 personave në një aksident rrugor, që kishte ndodhur në Rio më 2 dhjetor 1995, kur makinën e ngiste pikërisht futbollisti, që ishte në gjendje të dehur. Pasi çështja vazhdoi në shkallë të tjera gjyqësore, Edmundo qëndroi gjysmë i lirë deri më 15 qershor 2011.

Ian Rajt
E paimagjinueshme ajo që ka ndodhur me Ian Rajt, ish-lojtarin e njohur të Arsenalit. Një ditë të bukur, edhe pse paratë nuk i mungonin, madje i kishte me shumicë, ai vendosi që të mos e paguante më siguracionin e makinës. Një vendim që i kushtoi ish-futbollistit 14 ditë burg.

Xhorxh Best
Në burg ka qenë edhe i madhi Xhorxh Best. Gjeniu i Mançester Junajtid, në fushë dhe jashtë saj, në vitin 1984 përfundoi pas hekurave, sepse po ngiste makinën i dehur dhe për më tepër bëri rezistencë ndaj përfaqësuesve të ligjit.

Xhoi Barton
Futbollisti anglez, Xhoi Barton, është dënuar me 10 muaj burg, por në të vërtetë bëri vetëm 77 ditë. Dënimin e parë ai e ka marrë më 20 maj të 2008-ës: 6 muaj burg për agresion, në një incident të ndodhur në Liverpul. Barton i shtoi dënimit të tij edhe 4 muaj, pasi bëri për spital ish-shokun e skuadrës, Osman Dabo, gjatë një sherri në stërvitje me 1 maj të vitit 2007.
Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë